Rasti ”Katsifas”, Rama: Nuk sjell konflikt midis shqiptarëve dhe grekëve
Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste të dhënë për ”Euronews Greqi”, i pyetur mbi vdekjen e ekstremistit Kostandin Katsifas, në Bularat të Gjirokastrës, i qëndroi deklaratës se ajo ngjarje ishte një ”çmenduri ekstremiste”. I pyetur nëse vdekja e Katsifas mund të çojë në konflikte të vazhdueshme midis komunitetit grek dhe atij shqiptar, Rama e hodhi poshtë si mundësi. ”Unë nuk mendoj kështu. Përkundrazi, besoj se historia e dy komuniteteve tregon që nëse politika ose agjendat e ndryshme politike nuk ndërhyjnë, komunitetet janë një. Prandaj nuk ka ndarje apo urrejtje në zemrat e komuniteteve ku shqiptarët dhe grekët kanë jetuar së bashku për shumë vite. Ata janë një shembull i shkëlqyeshëm se si politika duhet të merret me faktin se ne jemi fqinjë dhe sa “të mallkuar” jemi për të jetuar së bashku dhe ta duam njëri-tjetrin. Nëse politika nuk fut hundët për interesa të brendshme dhe përpiqet të fitojë mbështetje duke ushqyer urrejtje, asgjë e keqe nuk mund të ndodhë”.