Reagime të shumta për procesin gjyqësor në Hagë, ku prokuroria kërkoi 45 vjet burg për Thaçin,….

Presidentja e Kosovës Osmani, tha se “Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi” duke shtuar se “Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër dhe kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentativa për ta rishkruar historinë”.

Në Kosovë pati sot reagime të shumta pasi Prokuroria në Dhomat e Specializuara në Hagë kërkoi nga 45 vjet burgimpër ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijëra fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, thuhet në reagimin e Presidentes Osmani.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas Osmanit, “Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi”. “Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentativa për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”.

Edhe ish-ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, në reagimin e saj thotë se “Kërkesa e Prokurorisë për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës”.

“Kjo nuk ka të bëjë me përpjekje për drejtësi. Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare”, shkruan Haxhiu. Sipas saj, “Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin”.

Kërkesa e prokurorisë ndëshkim politik

Edhe partia që fitoi zgjedhjet e fundit në Kosovë, dhe që pritet ta bëjë qeverinë, Lëvizja Vetëvendosje, në një reagim të saj, thotë se “kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për dënim me nga 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, është politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës dhe jo akt për kërkim drejtësie”.

“Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. Kjo është e vërteta. UÇK ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale duke mbrojtur popullin me gjithë forcën në dispozicion”, thuhet ndër të tjera në reagimin e LVV-së.

Më tej thuhet se kërkesa për dënime prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një kërkesë neutrale drejtësie, por një ndërhyrje politike në regjistrin e kujtesës dhe të historisë.

“Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit. Ky është një proces që e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima dhe e paraqet rezistencën ndaj okupimit si krim, ndërsa okupimin si sfond të heshtur”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Drejtësia ndërkombëtare duhet të vendosë në mënyrë të paanshme

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Bedri Hamza, parti kjo e themeluar nga ish-krerët e UÇK-së, thotë se “nisja e fazës përmbyllëse së një procesi të gjatë dhe të rëndë gjyqësor në Hagë është një proces që nuk përfaqëson vetëm një akt juridik, por është edhe një provë e ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës”.

“Për më shumë se pesë vjet, çlirimtarët tanë, ekipet e tyre mbrojtëse dhe dëshmitarët kryesorë, qëndruan me dinjitet dhe argumente të fuqishme, duke rrëzuar akuzat një nga një. Tashmë pritet që drejtësia ndërkombëtare, në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar, të marrë vendimin e saj përfundimtar. Ne besojmë në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, sepse besojmë në të vërtetën historike dhe në luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, shkroi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Më 17 shkurt, Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë së saj dhe në këtë ditë, organizata “Liria ka Emër”, ka planifikuar të zhvillojë një protestë në Prishtinëme moton “Drejtësi jo politikë”. Përfaqësues të kësaj organizate, të cilët thonë se gjatë procesit gjyqësor në Hagë “janë bërë shkelje”, përmes protestës do të kërkojnë drejtësi./DW/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?