Reagon Bashkia e Tiranës: Leja për pallatet te diga u dhanë nga Basha
Leja për ndërtimin kompleksit të 5 pallateve 17 katesh te Diga e Liqenit është e pavlefshme pasi ajo është dhënë nga Lulzim Basha gjatë kohës kur në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ishte në fuqi vendimi i qeverisë për moratoriumin e ndalimit të ndërtimeve. Këtë fakt e ka bërë të ditur Bashkia e Tiranës sot gjatë një deklarate të shpërndarë për mediat, ku kërkon të sqarojë edhe gjithë procedurën dhe paligjshmërinë e lejes së këtij kompleksi pallatesh.
Bashkia e Tiranës sqaron opinionin publik se: “Vendimi për dhënien e lejes është marrë pas moratoriumit për ndalimin e ndërtimeve (moratoriumi është vendosur në dt.22.08.2014, kurse leja në fjalë mban dt.14.10.2014)”. Gjithashtu në këtë sqarim theksohet se leja është dhënë në kundërshtim edhe me raportin e Komitetit të Digave që e cilëson zonën poshtë dgës së liqenit si zonë me rrezikshmëri për jetën dhe pronën e qytetarëve të Tiranës. “Leja është dhënë në kundërshtim me vendimin Nr.4 dt. 06.01.2015 i Komitetit Kombëtar të Digave, i cili ka miratuar edhe “Studimin hidroteknik për sigurinë e digës së liqenit artificial të Tiranës dhe masat mbrojtëse nga diga”, duke theksuar rrezikshmërinë e ndërtimeve nën Digë”, thuhet më tej në këtë sqarim.
Bashkia bënë të ditur edhe faktin se leja është dhënë pa pasur një Plan të Detajuar Vendor (PDV). Për transparence me opinionin publik, Bashkia e Tiranës ka shpërndarë edhe faksimilen e vendimit të miratimit të lejes së ndërtimit nga ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
KOHA JONË SONDAZH

