Reagon kryeministria për situatën problematike të përmbytjeve
Kryeministria pas reagimit të opozitës dhe mediave ka nxjerrë këtë shënim në faqen online të Kryeministrisë.
Ja teksti zyrtar:
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministra të kabinetit u angazhuan sot në terren, për të ndjekur dhe zgjidhur nga afër situatën e krijuar nga reshjet, në zonat më problematike. Zëvendëskryeministri Peleshi, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj ishte në fshatin Pllanë të Zejmenit, gjatë operacionit të evakuimit të familjeve që rrezikonin nga përmbytjet. Ai u takua me drejtues të pushtetit qendror dhe lokal dhe u interesua për masat që po ndërmerren prej tyre në vijim, në ndihmë të banorëve.
Zëvendëskryeministri Peleshi u shpreh se reagimi i qeverisë ka qenë në kohën e duhur dhe se masa të tjera do të merren në vazhdim për normalizimin e plotë të situatës. Zëvendëskryeministri apeloi se territori, si një pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve kërkon një trajtim të veçantë, dhe se sfida e të ardhmes është një sjellje moderne ndaj tij, në mënyrë që parandalohen emergjencat civile. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se viti që sapo hyri do të jetë viti kur qeveria qendrore do të ndajë përgjegjësinë, kompetencat, por dhe buxhetin me qeverinë vendore për ujitjen dhe kullimin, si dhe do të hartohen një sërë projektesh të rëndësishme, në bashkëpunim.
“Kjo është një përgjegjësi mbi 20 vjeçare e gjithë shoqërisë. Natyrisht që qeveritë dhe politika kanë përgjegjësinë kryesore, por në fund të fundit Shqipëria është e përbashkët. Ky është një territor i përbashkët, ta trajtojmë tani e në vazhdim me kujdes. Nuk është çështja se si reagojmë kur ndodh përmbytja. Ne kemi përjetuar përmbytje shumë më të mëdha. Reagimi i sotëm ka qenë në kohën e duhur edhe forca të tjera janë duke ardhur. Çështja është sesi qeveria qendrore të bashkëpunojë së bashku me bashkinë, me pushtetin vendor. Ne kemi vendosur që viti 2016 do të jetë viti kur qeveria qendrore ndan përgjegjësinë, kompetencat, por dhe buxhetin me qeverinë vendore për ujitjen dhe kullimin, të paktën për kanalet sekondare dhe primare. Kemi vënë financimet në dispozicion për t’i parandaluar përmbytjet.
Sfida jonë, tani dhe në të ardhmen, është sjellja moderne me territorin, duhet të jetë si t’i parandalojmë emergjencat civile. Kemi angazhuar 25 milionë dollarë për pushtetin vendor, për të financuar skemat e ujitje-kullimit. Do të blejmë një sasi prej 30 ose 40 ekskavatorësh që do t’i shpërndahen të gjithë bashkive, të cilat do të krijojnë bordet e tyre të kullimit, sepse kanë marrë përgjegjësinë dhe kompetencën për kanalet sekondare. Ndërkohë do të japim fond të mjaftueshëm edhe për projektet rehabilituese, në mënyrë që ky vit të shënojë një zhvillim cilësor përsa i përket veprave ujitëse, kulluese, që do të thotë edhe parandalim e përmbytjeve të tilla.
Natyrisht që problemi është akoma më i gjerë dhe kërkon masa edhe më të forta, pasi shumë përmbytje shkaktohen nga shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, nga ndërtimet pa leje në shtretërit e lumenjve dhe gjithandej. Kështu që nga njëra anë, kemi vendosur që të dekurajojmë ndërtimet pa leje dhe të legalizojmë me shpejtësi çfarë është e legalizueshme sot, në mënyrë që legalizimi ti përkasë të tashmes dhe të shkuarës, por të mos jetë një kërkesë e të ardhmes. Në të ardhmen nuk duhet të kemi ndërtime pa leje, ndaj përgjegjësia për të mbrojtur territorin e Shqipërisë, për të mbrojtur njëri-tjetrin, pavarësisht qëllimeve që gjithsecili ka, duhet të jetë e përbashkët. Dikush ka qëllim të ndërtojë një shtëpi për një jetë më të mirë. Dikush tjetër do të shfrytëzojë territorin për qëllime biznesi, por në fund fare duhet të jetë përgjegjësia e përbashkët dhe qëllimi i përbashkët për të pasur një territor të mbrojtur nga përmbytjet dhe të pakërcënuar nga emergjencat civile.
Të gjitha bordet, shtabet e emergjencës pranë prefekturave në të gjithë Shqipërinë janë në funksion.”, u shpreh zëvendëskryeministri Peleshi.