Reagon Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha për vrasjen e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli”

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka reaguar lidhur me lajmet për vrasjen e nxënësit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”.

Hoxha mbështet plotësisht deklaratën e Policisë së Shtetit dhe i bën thirrje mediave të ndalin valën e dezinformimeve rreth autorësisë së vrasjes, duke theksuar se informacionet e shpërndara për një “autor të dytë”, janë të pavërteta dhe të pabaza.

“Mbështes plotësisht në frymë dhe në gërmë deklaratën e sotme të Policisë së Shtetit dhe i bashkohem thirrjes për mediat që të ndalin valën e dezinformimit mbi autorësinë e vrasjes së nxënësit të shkollës Fan Noli dhe në përgjithësi mbi komunikatat e Policisë së Shtetit, siç bënë edhe në rastin e Pogradecit duke helmuar opinionin publik.

Konfirmoj edhe me përgjegjësinë time politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e kësaj ngjarjeje. Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik”, shkruan Hoxha.

Në deklaratën e tij, Hoxha kritikon disa media dhe politikanë se po shfrytëzojnë tragjedinë për përfitime politike dhe për të manipuluar opinionin publik, duke përmendur ngjarjen e Pogradecit si shembull të ngjashëm. Ai nënvizon se ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë, gjë që tregon qartë sipas tij blofin e madh te politizimit dhe tregtimit mediatik të vdekjes.

“Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit.

Por fatmirësisht në këtë rast, ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë qartë blofin e madh të politizimit apo tregtimit mediatik të vdekjes. Konstatoj se përpjekja për të shfrytëzuar politikisht dhe mediatikisht situata të tilla, rritet bashkë me të dhënat pozitive të punës së policisë.

Histeria dizinformuese mesa duket motivohet nga rënia e përvitshme e numrit të vrasjeve dhe kur ndodh një tragjedi e tillë, të zakonshmit hidhen përpjetë sapo u vjen rasti! Sidoqoftë, e vërteta është e qartë si drita e diellit në komunikatat e Policisë së Shtetit, jo në lojën politike apo mediatike me vdekjen të atyre që ky popull ua ka marrë dorën prej kohësh”, – thuhet në reagimin e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha.

/a.f/ ATSH

SHKARKO APP