Referendumi i 18 dhjetorit, Spaho akuzon Bashën për rrëmbim të kartave të anëtarësisë
Komisioni i rithemelimit të PD-së ka nisur punën për organizimin e referendumit të 18 dhjetorit ku anëtarësia e partisë do të vendosë pro ose kundër shkarkimit të Lulzim Bashës. Deputeti Edmond Spaho, njëherësh anëtar i komisionit, jep detaje për mënyrën se di do organizohet referendumi i ditës së shtunë.
“Fleta e Votimit tashmë është bërë publike. A jeni dakord me shkarkimin e Bashës? Komisionet kanë funksionuar edhe në zgjedhje të tjera, por të mos harrojmë që edhe në datën 11 dhjetor në Kuvend, çdo degë pati komisionin e saj. Po ato komisione do të jenë, mund t’u shtohen disa komisione”, shprehet Spaho.
Po ashtu Spaho thekson se e drejta e votës nuk do u mohohet as atyre që nuk janë pjesë e listave të anëtarësisë, duke shpjeguar se për të marrë pjesë të votim mjafton një mjet identifikimi i shoqëruar me një kartë anëtarësie.
“Listat e anëtarësisë ne i disponojmë, do të votojmë me kartë identiteti dhe kartë anëtarësie. Nëse nuk do të gjejnë emrin në listë do të shënohet emri në një formular të veçantë për ata që se kanë emrin në listën e anëtarësisë, por disponojnë një kartë anëtarësie që nga periudha kur PD-ja është krijuar”.