Rëfimi i Llallës: Si hetuam grupin Shullazi me agjentë të SHISH, policia s’kisha besim

Goditja e grupit të Emiljano Shullazit, në vitin 2016 është cilësuar nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, si çështja më e rëndësishme e zhvilluar gjatë periudhës së drejtimit të akuzës.

Këtë detaj, ish-drejtuesi më i lartë i akuzës, e ka vënë në dukje gjatë dhënies së dëshmisë përpara prokurorëve që ai vetë kishte transferuar nga Vlora, tek Krimet e Rënda, duke treguar me detaje se si kishin hetuar në 2016, Emiljano Shullazin.

Hetim i cili u konkretizua në arrestimin e 5 personave, mes të cilëve Emiljano Shullazi, dhe Gilmando Dani. Llalla, ka treguar në dëshminë e tij, se pas arrestimit të këtij grupi kishte marrë sinjale të qarta kërcënimi, ndaj dhe u detyrua për tu larguar në drejtim të Gjermanisë, duke sistemuar familjen në këtë shtet.

Sipas ish kreut të akuzës, gjatë hetimit kishte anashkaluar Policinë e Shtetit, për shkak të mosbesimit se do i jepej një mbështetje e duhur.

Për këtë gjë, i ka kërkuar ndihmë strukturave hetimore të Shërbimit Informativ Shtetëror, ku me agjentët e këtij institucioni, ka mbajtur në vëzhgim dhe ruajtje për gati dy javë, Emiljano Shullazin dhe disa prej anëtarëve të grupit të tij.

Më tej në rrëfimin dhënë përpara kolegëve, Llalla, ka treguar edhe detaje mbi disa nga pasuritë dhe udhëtimet e tij jashtë shtetit.

Kryeprokurori ka treguar se ndërtimi i shtëpisë në Tiranë, ishte kryer gjatë vitit 2006, dhe për këtë pronë janë përdorur kursimet financiare të fituara nga emigracioni dhe kompensimi financiar nga burgimi i padrejtë i babait të tij, të dënuar gjatë kohës së komunizmit.

Gjithashtu, ka dhënë shpjegime edhe mbi pasuritë e tjera që zotëron në Tiranë dhe Durrës. Momentalisht çështja penale e ish-kryeprokurorit Llalla, ndodhet në prokurorinë e Tiranës, ku ai akuzohet për veprën penale të “Mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”. /Ora News

YouTube player

SHKARKO APP