Reforma – Akademia e Shkencave të hënën në mbledhje të jashtëzakonshme
Akademia e Shkencave do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme të hënën në orën 11:00 në një nga sallat e këtij institucioni.
Kryetari i zgjedhur Gudar Beqiraj në një reagim telefonik për Ora News tha se mbledhja është thirrur për ngritjen e komisionit të posaçëm që do të ketë si qëllim propozimin e një pakete për reformën në këtë institucion.
Ky komision do të përbëhet nga 10 anëtarë të Akademisë së Shkencave.
Në përbërjen e tij, do të jenë edhe përfaqësues nga Kosova, Maqedonia, dhe profesoresha e informatikës në Gjermani Mira Mezini.
Materiali që do të përgatitet prej komisionit të posaçëm do t’i paraqitet më pas kryeministrit Rama të cilit do ti kërkohet miratimi i dokumentit final.
Vendimi i akademikëve vjen vetëm pak ditë nga ultimatumi i kryeministri Rama i cili ka paralajmëruar shkrirje të akademisë së shkencave nëse institucioni nuk reformohej.
Por duket se tensionet tashmë janë të larta. Vetëm 2 ditë pas zgjedhjes, zv kryetari Muzafer Korkuti dha dorëheqje te parevokueshme. Ndërkohë akademiku Artan Fuga ka akuzuar se zgjedhjet janë realizuar nën një farsë.

