Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit/ Zyrtarja e DASH: Tani po fillon të zbatohet legjislacioni në Shqipëri, ka shumë për të bërë
Zyrtarja e lartë e DASH, që ka ndjekur zhvillimet në vendin tonë dhe që sot i pa nga afër gjatë vizitës në Tiranë, shprehet optimiste për Reformën në Drejtësi. Në një intervistë për ”Zërin e Amerikës”, Karen Donfried thotë se Shqipëria ka ende shumë punë në luftën kundër korrupsionit, ndërsa thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë në krahun tonë.
“Në bisedat e mia këtu, edhe kam duartrokitur përparimin që ka bërë Shqipëria, por edhe kam thënë vazhdoni, ka më shumë për të bërë dhe SHBA-të janë me Shqipërinë për të mbështetur përparim më të madh me këto reforma”, thotë Donfried.
E pyetur për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që kritikon Shqipërinë për mosndëshkimin e krimit dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë si dhe hapat prapa në lirinë e shprehjes, ajo tha se tani po fillon të shihet zbatimi i legjislacionit që vendi ynë ka.
“Mendoj që ajo që ka rëndësi në lidhje me këto raporte është që në disa raste ato edhe njohin përparimin e bërë, por edhe theksojnë se çfarë mbetet për t’u bërë. Dhe në rastin e këtyre reformave në Shqipëri, do të argumentoja se ju, tani po filloni të shihni ndikimin e legjislacionit që u miratua këtu në Shqipëri, i cili po zbatohet tani. Mendoj që ka ende shumë që Shqipëria duhet të bëjë dhe ne e mbështesim këtë. Por, mendoj se tani po filloni të shihni pikërisht atë ndikimin e rëndësishëm të legjislacionit që Shqipëria ka”.