Reforma shpëton Gjykatën; Zaganjori: Jemi pa gjyqtarë
Në arkivën e Gjykatës së Lartë presin ende për t’u gjykuar 20 mijë dosje. Aktualisht në këtë gjykatë kanë mbetur 10 gjyqtarë, pasi pesë të tjerëve u ka mbaruar mandati, ndërsa katër gjyqtarë kanë dhënë dorëheqjen.
Tashmë kjo gjykatë ka ngelur me numrin më të ulët në historinë e saj të gjyqtarëve dhe të ndihmësve ligjorë, që sipas ligjit të ri duhet të jenë magjistratë.
Shpresa e fundit ngelet ngritja e organeve të reja të qeverisjes gjyqësore, në të kundërt edhe pesë vitet e ardhshme stoku i dosjeve në arkiva do të jetë shqetësimi kryesor.
“Padyshim që me reformën normalisht që çështjet do të marrin drejtim. Presim të shohim çdo behet, por normalisht numri i gjyqtarëve dhe ndihmësve ligjorë duhet të rritet, sepse ne po punojmë në kushte tepër të vështira. Duhet thënë nga ana tjetër që treguesi që kemi në aktualisht në shqyrtimin e dosjeve për 6-mujorin e parë të këtij viti, nuk janë të ulta. Në total janë rreth 2 mijë dosje që janë shqyrtuar në Gjykatën e Lartë në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Janë 2 mijë dosje, prej të cilave janë marrë rreth 2 mijë vendime, ku më shumë se gjysmën e ka bërë Kolegji Administrativ, 360 Kolegji Civil, shumë pak dhe rreth 570 të tjera nga Kolegji Penal. Kjo është jashtë çdolloj standardi. Para disa vitesh, ky ishte numri i çështjeve që shqyrtohej në një vit”,- deklaron kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.
Por, cila është zgjidhja në mënyrë që qytetarët të mos vijojnë të presin?
“Zgjidhjet nuk i kemi ne. Më përpara ishte kuadri kushtetues i tillë, që gjyqtarët vinin në Gjykatën e Lartë, ashtu si në Gjykatën Kushtetuese me dekretim të Presidentit dhe me pëlqim nga Parlamenti. Tani kjo formulë ka ndryshuar dhe është kompetencë e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Por Këshilli i Lartë Gjyqësor ende nuk është krijuar. Uroj dhe shpresoj që KLGJ të formohet sa më shpejt dhe sigurisht që do të zgjidhen gjyqtarë të rinj e do ketë një organizim tjetër”,- shton Zaganjori.
Për shkak të stokut të trashëguar në vite, por edhe fluksit të rekurseve që depozitohen nga çdo gjykatë në vend, situata është bërë akoma më e ngarkuar edhe nga dorëheqjet më të fundit prej përfundimit të mandatit.
“Muajt e fundit situata është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të një sërë rrethanash. Stoku ka ardhur duke u rritur. Kryesore është angazhimi dhe përqendrimi me reformën dhe se dyti vjen reduktimi i ndjeshëm i numrit të gjyqtarëve si dhe i stafit të ndihmësave ligjorë, ku më shumë se gjysma janë larguar. Po kështu edhe reduktimi i ndjeshëm i numrit të gjytarëve. Ne e kemi përsëritur disa herë që duhet të jemi 19 gjyqtarë”,- thotë kreu i Gjykatës së Lartë./TCh/

