Reforma territoriale, PD-PS ende pa konsensus

PD-PS do të shkojnë në seancë plenare pa konsensus për Reformën Territoriale. Bashkëkryetarja socialiste, Anila Denaj, tregoi se në draft raportin e PS rekomandohen vetëm disa ndryshime sa i përket funksioneve te pushtetit lokal, pa prekur hartën aktuale me 61 bashki.

“Reforma e vitit 2014 ka përmbushur objektivat në pjesën më të madhe, por kanë nevojë për përmirësime në shërbime dhe përfaqësim të zonave rurale. Prandaj kërkojmë konsolidim të 61 bashkive aktuale”, tha Denaj.

Bashkëkryetarja demokrate Dhurata Çupi vijoi me thirrjet drejtuar mazhorancës për të pranuar raportin e PD, që sugjeron rritjen e numrit të bashkive, nga 61 në 94.

“Në vitin 2014 u bë një ndarje për përfitime elektorale dhe jo t’i shërbente qytetarëve i bej thirrje mazhorancës për konsensus, besoj se ky komision u ngrit me seriozitet dhe jo për t’u tallur”, tha Çupi.

27 tetori është afati përfundimtar kur mbyllet puna e komisionit të territoriales, nëse palët nuk do ta shtyjnë atë përsëri. Qëndrimet vijojnë të mbeten të njëjta, por java në vijim pritet të shfrytëzohet për negociata, me shpresën e gjetjes së një dakordësie, para se kalohet në seancë plenare.

SHKARKO APP