Reforma Zgjedhore, Kume: Mbyllet deri në 15 mars, po sistemi nuk ndryshon
Ish-Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume, i ftuar në studion e lajmeve të Ora News u shpreh se beson se brenda datës 15 mars do të mbylet Reforma Zgjedhore. Kume tha se është pozitive fakti që palët po punojnë në klimën e dakordësisë për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për Reformën e re Zgjedhore.
Kristaq Kume: Plaga është e madhe, po ti referohemi legjislacionit tonë, sepse pjesë e saja është dhe sistemi zgjedhor. Ne aplikojmë sistemin proporcional rajonal. Procesi është duke u realizuar në radhë të parë duke bërë të mundur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Në vlerësimin tim ajo që është duke u realizuar përveç se gjetja e mundësive më të mira, është dhe përpjekja për të gjetur zgjidhje që të kenë dakordësinë. Ajo që është marrë përsipër të realizohet deri në 15 mars, do mund të bëhet.
Më tej, Kristaq Kume u shpreh se na mbledhjen e ardhshme të Këshillit Politik do të diskutohet për sistemin zgjedhor. Ai tha se janë 5 variante për sistemin zgjedhor, por nuk beson se palët do të gjejnë dakordësinë për ndryshimin e sistemit aktualisht. Megjithatë, Kume u shpreh se mund të arrihet që të paktën të vendosen listat e hapura me sistemin aktual.
Kristaq Kume: Në seancën e radhës të Këshillit Politik është parashikuar të trajtohen dy çështje: ajo e sistemit dhe ajo e administratës zgjedhore. Ka të depozituara në kuvend disa propozime për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Janë në dijeninë time pesë variante të ndryshme që do të jenë pjesë e diskutimit në tavolinë pasnesër. Të jemi të kujdesshëm për atë që themi sot. Ndjesia ime është se zor mund të merret vendim për të realizuar ky ndryshim tani. Ka dhe një tjetër opsion që mund të ofrojë diçka, edhe pa e ndryshuar këtë sistem, të patën të jenë lista të hapura. Se sa serioz me çfarë vullneti kjo mbetet ta shohim.
Ndërkohë, avokati Adriatik Lapaj u shpreh se po bëhet gabim fatal që nuk po diskutohet për ndryshimin e sistemit. Sipas tij, ato që po diskutojnë aktualisht palët nuk e vënë gishtin në plagë.
Adriatik Lapaj: Në pamje të parë duken zhvillime pozitive, por nuk e vendosin gishtin në plagë. Thelbi i procesit është përfaqësimi politik i qytetarëve, që prodhohet nga formula elektorale. Ne kemi pasur probleme me zgjedhjet. Thelbi është sistemi elektoral. Në këtë rast palët nuk po tregojnë pritshmëritë e qytetarëve për të ndryshuar sistemin. Është një nga diskutimet që po bëhet për pranimin e listave të hapura. Ky është hap pozitiv por për mua nuk e zgjidh problemin. Në një republikë të vogël krijon pabarazi të votës. Subjektet e reja që mund të tentojnë presion ndaj politikës së vjetër mund të vihen nën presion nga gara e një të reje që mund të futet në lojë. Po bëhet gabim fatal duke iu shmangur përgjegjësisë për ndryshimin e formulës elektorale. Kemi dy vjet që po telendiset Shqipëria për shkak të mos pasjes së balancimit të pushteteve.