Reforma/Lubonja: Armëpushim i radhës mes palëve

Analisti Fatos Lubonja komenton për edicionin qendror të lajmeve në RTV Ora News të drejtuar nga gazetarja Ilva Tare, miratimin e reformës në drejtësi.

Lubonja është skeptik për arritjen e konsensusit, duke theksuar se klasa politike po bën vetëm një armëpushim. Ai thotë se reforma po zbatohet që në fillim me shkelje të ligjit, për shkak të procedurave të ndjekura për të shkuar në seancës.

Intervista:

-U arrit një marrëveshje politike apo një pazar i radhës me reformën në drejtësi?

Lubonja: Më shumë u bë një armëpushim i radhës dhe përgatitja e armëve për një luftë të re politike dhe konflikt të ri sipas meje.

-Si pasojë e këtij armëpushimi, çfarë përfiton Shqipëria? Reforma në drejtësi ka qenë e kërkuar nga ndërkombëtarët? A treguam një lloj maturie në lidhje me ta?

Lubonja: Unë kam bërë dallimin midis reformës në drejtësi dhe drejtësisë, sepse shqiptarët kanë kërkuar drejtësi sipas meje. Dhe ndërkombëtarët besoj se në tërësinë e vet mendojnë për një diçka që do të sjellë më shumë drejtësi në Shqipëri.

Unë gjykoj si një pretekst për luftë për këtë të ashtuquajtur reformë, si një pretekst për të ndryshuar ca njerëz me ca të tjerë. Për të ndryshuar formën e bukës por me të njëjtin miell, se sa një vullnet të mirë politik për të hequr dorë nga pushteti personal dhe i personave, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta dhe të tjerë pas tyre dhe për t’ia dhënë ligjit pushtetin. Gjithë problemi është që pushtetin ta marrë ligji.

Ata do ta aprovojnë një reformë sot dhe e fillojnë me një shkelje ligji dhe me sa gjykova unë nuk mund të shkojë me procedurë nga komisioni në seancë. Që këtu fillon respekti për ligjin. Pushtetin në shtetin e së drejtës e ka ligji, nuk e kanë personat. Nuk e ka Ilir Meta, nuk e ka Lulzim Basha, nuk e ka Edi Rama, nuk e kanë partinë. Këta e shkelin ligjin..prandaj unë nuk besoj tek kjo lojë.

-Megjithatë, duhet të ketë një fillim? T’i japim pak kurajo…

Lubonja: Gjithë kjo betejë që u bë dhëmb për dhëmb ka anën e vet pozitive edhe në gjykimin se ata gjyqtarë dhe prokurorë besoj se ndërgjegjësohen më shumë. Mendoj se politika shqiptare kaloi një stres të fortë, për atë se si mund të arrihet kompromisi, një lloj lëshimi reciprok, ndërkohë që prirja është që t’i shkelësh kokën atij tjetrit dhe jo t’i japësh diçka duke e hequr nga vetja. Ndoshta këto janë gjërat pozitive që shohim.

Janë shumë pak po të kesh parasysh se me çfarë sforcimi të madh që u bë me një luftë të ashpër. Nuk ka mbarur akoma, pasi do të fillojnë të shkruajnë ato presjet dhe pikat atje..dhe për një presje dhe një pikë mund të grinden dhe ta kthejnë mbrapsht finalizimin e atij draftit.

 

SHKARKO APP