“Refugjatët”, Ministri Xhafaj takim informal me homologun e Malit të Zi në Shkodër

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi një takim informal me ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, Mevludin Nuhodziç gjatë ditës së sotme në Shkodër.
Dy ministrat konstatuan nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes vendeve tona dhe folën për thellimin e këtij bashkëpunimi, sidomos me operacione të përbashkëta mes 2 policive.
Ata trajtuan çështje që lidhen me projekte të përbashkëta ndërkufitare, për të siguruar mbështetje financiare dhe asistencë nga BE.
Ministri Xhafaj dhe Ministri Nuhodziç diskutuan, gjithashtu, mbi masat shtesë për lehtësimin e lëvizjes në pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Malit te Zi në muajt e sezonit turistik veror, ku ka një fluks pushuesish.
Këtu u trajtuan çështje të bashkëpunimit më të mirë ndërkufitar, përfshi kontrollin e përbashkët të kufirit midis dy vendeve, si dhe lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes në PKK, duke mundësuar procedurën e vetëm një kontrolli në hyrje dhe në dalje.
Dy ministrat, të shoqëruar nga ekipet me drejtues të policive, ndanë mendime dhe trajtuan çështjen e përballimit të një fluksi të mundshëm migrator nga vendet e treta.
Ministri Xhafaj solli në vëmendje propozimin e bërë nga ai në Trieste, për ngritjen e Qendrës së Përbashkët Rajonale Policore, që do të trajtojë këto problematika, propozim që po trajtohet edhe nga pala malazeze.
Dy ministrat e Brendshëm e mbyllën takimin me një inspektim të përbashkët në Pikën e Kalimit të Hanit të Hotit, ku panë nga afër masat policore për sezonin turistik.
KOHA JONË SONDAZH

