Refugjatët në Gjadër, Meloni në senat: Pasqyron në mënyrë të përsosur frymën evropiane
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e pranishme në Senat, tha se me marrëveshjen e emigrantëve me Shqipërinë, po i japim një shembull të gjithë pjesës tjetër të Europës duke i dërguar ata që vijnë në mënyrë të parregullt në vende të treta për të përpunuar kërkesat e tyre për azil.
Një grup i parë prej 16 emigrantësh është nisur drejt vendit tonë me një anije të marinës italiane, pasi plani i Melonit për të përdorur një qendër jashtë kufijve të Bashkimit Europian për të shqyrtuar të drejtën e tyre për të hyrë në Itali, tashmë është vënë në lëvizje. Italia është vend i parë i bllokut që krijon qendra procesimi të kërkesave të azilkërkuesve jashtë kufijve të unionit.
”Italia dha një shembull të mirë me nënshkrimin e protokollit me Shqipërinë për të përpunuar kërkesat për azil në territorin shqiptar, por nën juridiksionin italian dhe europian. Dy objektet e përcaktuara në protokoll, qendra në Shëngjin dhe ajo në Gjadër tashmë janë gati dhe funksionale. Kjo është një rrugë e re, e guximshme, e paprecedentë, por që pasqyron në mënyrë të përsosur frymën evropiane dhe ka gjithçka që duhet për t’u ndjekur nga vende të tjera jashtë BE-së”, tha Meloni.