Refugjatët vijnë në Shqipëri, forcat speciale DELTA i bllokojnë në kufi
Refugjatët nuk dorëzohen derisa të shkojnë në destinacionet që kanë si pikësynim. Lidhur me këtë, informacionet e fundit që vijnë, bëjnë me dije se policia greke ka nisur operacione në brezin kufitar me Shqipërinë, për bllokimin e refugjatëve. Burime pohojnë se ata janë larguar nga qendrat greke të strehimit.
Konkretisht po flasim për 18 refugjatë afganë, që janë bllokuar në zonën e Konicës, mes të cilëve tetë fëmijë. Grupe refugjatësh prej disa personash janë bllokuar në zona të tjera fqinje me Shqipërinë, ndërkohë që operacioni vazhdon.
Të gjithë refugjatët e bllokuar sipas autoriteteve greke do të rikthehen në qendrat pritëse, nga të cilat janë larguar.
Ndërhyrja e policisë greke vjen në një kohë kur në anën shqiptare është rritur ditëve të fundit depërtimi i grupeve të refugjatëve, kryesisht nga Siria dhe Pakistani.
Një repart i forcave speciale të policisë shqiptare DELTA është vendosur sërish në kufi për të bllokuar grupet e refugjatëve.
Policia shqiptare ka shprehur shqetësimin se trafikantë të qenieve njerëzore po fshehin në zonat pyjore në anën greke, afër Shqipërisë, grupe refugjatësh duke i mbajtur ata me ditë të tëra në kushte të vështira jetese.
Refugjatët kërkojnë të kalojnë transit në Shqipëri për t`iu drejtuar kufirit të Malit të Zi apo Kosovës. Sipas policisë shqiptare, trafikantët përdorin tani mjete të vogla për transportimin e tyre duke përfituar edhe nga qarkullimi i rënduar për shkak të sezonit turistik.
Policia shqiptare ka bllokuar gjatë muajit gusht disa dhjetëra refugjatë, mes të cilëve shumë fëmijë, por pa arritur të arrestojë organizatorët e trafikut që veprojnë në të dy anët e kufirit.
KOHA JONË SONDAZH

