Refuzoi oksigjenin dhe u rikthye te gërmadhat, flet zjarrfikësi vlonjat që shpëtoi gjallë një grua

“Vlonjati i paepur refuzoi maskën e oksigjenit dhe u rikthye tek gërmadhat, në kërkim të jetëve që kërkojnë shpëtim”.

Kjo është një nga fjalitë me të cilat e ka përshkruar kryeministri Rama dy ditë më parë sakrificën e zjarrfikësit në Vlorë për jetët që prisnin të shpëtoheshin nën rrënoja pak orë pas tërmetit të tmerrshëm që goditi vendin më 26 nëntor.

Një ditë më parë, ai ishte i ftuar në studion e emisionit të pasdites në Top Channel Ftesë në 5 dhe ka rrëfyer përse zgjodhi ta bëjë këtë gjest aq human. Teksa ka rrëfyer përjetimet e zjarrfikësit hero, Luan Kapaj, gjatë kërkim shpëtimeve në Durrës u shpreh:

“E pranova oksigjenin për disa sekonda prandaj ndërhyva se ajo thoshte “aman dua ndihmë”. Dëgjonim zërin, hapa një birrë sa krijova lethësi për ajrin, i futa një bidon me ujë dhe pastaj nxorrëm trupin që ishte akoma në jetë. E rëndësishme është ta mbash psikologjisjht në jetë se gruaja që ne shpëtuam thoshte “pse po vonoheni mua më ka zënë vetëm dera” nuk e dinte që ishte rrëzuar pallati dhe ne nuk mund t’ja thoshim se mund të kalonte në traumë”.

“Ky njeri i zakonshëm i këtij vendi, quhet Luan Kapaj. Zjarrfikës në Vlorë. Qysh pa gdhirë sot, Luani dhe kolegët e tij vlonjatë, ishin përballë gërmadhave. U gdhi e u ngrys dita dhe ky burrë që s’e njeh askush, nuk rreshti një sekondë, duke hyrë nën gërmadha për të nxjerrë nga duart e vdekjes, jetët e murosura nën pirgjet prej betoni.

E kur fuqitë e tij u duk se shterrën dhe Urgjenca Kombëtare Shëndetësore, e detyroi të shtrihej mbi barelë, vlonjati i paepur refuzoi maskën e oksigjenit dhe u rikthye tek gërmadhat, në kërkim të jetëve që kërkojnë shpëtim! Luani është ende aty, tani që po flasim”, shkruante Rama teksa nxori foton e tij.

SHKARKO APP