Rehabilitohet ambulanca e Lusenit, Manastirliu: 92 qendra do furnizohen me barnat e urgjencës
Investimet për përmirësimin e shërbimit shëndetësor parësor arrijnë edhe në zonat më të thella të vendit. Falë programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave është mundësuar transformimi i ambulancës në fshatin Lusen të Kukësit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, pa nga afër investimin që ka transformuar ambulancën e zonës së thellë të Lusenit në Kukës, në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, 80 prej të cilave përfundojnë rehabilitimin dhe pajisjen brenda këtij viti.
“Kujdesi parësor është në qendër të vëmendjes tonë ndaj po investojmë jo vetëm në qytet por edhe në fshat, për ambulanca të rehabilituara e me pajisje të reja, në kuadër të programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi nga Kukësi se është siguruar edhe furnizimi me barnat e urgjencës për 92 qendra shëndetësore dhe pika ambulancash që rrezikojnë bllokimin gjatë dimrit, nga veriu në jug të vendit.
Personeli shëndetësor dhe banorët e zonës u shprehen se ky investim ka ndryshuar tërësisht kushtet e shërbimit në këtë ambulancë, e cila deri dje nuk ofronte kushtet minimale për shërbimin shëndetësor.
Pika e ambulancës Lusen është një prej 80 qendrave shëndetësore dhe ambulancave që rehabilitohen brenda vitit me fondet e buxhetit të shtetit. “Me buxhetin e vitit të ardhshëm rehabilitojmë 100 qendra të tjera shëndetësore dhe pika ambulancash për të ofruar shërbim shëndetësor me cilësi, sa më afër vendbanimit të qytetarëve, kudo ku ata ndodhen”, tha Manastirliu.
KOHA JONË SONDAZH

