Rekordet e importit të kafshëve të gjalla, turizmi nxiti kërkesën për produkte të mishit

Importi i kafshëve të gjalla në muajin prill të këtij vitit ka prekur rekord absolut, që nga janari i vitit 2005, viti i fundit për të cilin INSTAT disponon të dhëna. Shifrat flasin për rreth 744 milionë lekë import të kafshëve të gjalla në prill, duke u rritur me 60.9%, krahasuar me prillin e vitit të kaluar.

Por nga cilat shtete u regjistrua importi më i lartë i kafshëve të gjalla për muajin prill? Të dhënat tregojnë si partner kryesor Greqinë me rreth 176 milionë lekë import në prill të vitit aktual. Pas Greqisë pason Rumania, Hungaria, Kosova dhe Italia.

Importet e kafshëve të gjalla për mish janë në rritje vit pas viti, por këtë vit tendenca duket ka qenë edhe më e fortë, duke arritur rekord në prill. Në katërmujorin e parë të vitit, vlera e importit të kafshëve të gjalla arriti në 2.5 miliardë lekë, duke u rritur me rreth 63%

Por cilat kanë qenë arsyet kryesore të kësaj rritje? Padyshim, rritja e fortë e turizmit ka rritur kërkesën për produkte të mishit në vendin tonë. Siç dihet në kuzhinën shqiptare mishi është një produkt i rëndësishëm dhe numri i lartë i turistëve mud të ketë nxitur konsumin e mishit. Megjithatë, sipas të dhënave të analizuara edhe më herët nga “Scan Intel”, në Shqipëri konsumi i mishit përfaqëson rreth 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas shifrave nga Eurostat, kjo normë e vendos vendin tonë në vend të parë të padiskutueshëm dhe pa rivalë të tjerë në Europë.

Por një arsye tjetër mund të jetë edhe rënie e numrit të bagëtive. Sipas një analize nga “Scan Intel” nisuar nga të dhënat e EUROSTAT, sa i përket gjedhëve, kryesisht lopët për blegtori të cilat shërbejnë vetëm për mish konsumi, numri i krerëve në Shqipëri ka rënë me rreth 32.6% në gati dhjetë vite. Kjo është rënia më e madhe në rajon dhe në Europë, sipas shifrave të Agjencisë Europiane të Statistikave.

Xhorxhina Deda/SCAN

SHKARKO APP