Rektori i Gjirokastrës, Mema: Katër programe studimi rrezikojnë të mbyllen

Regjistrimet në universitete u mbyllën më datë 1 nëntor 2016, duke lënë të paplotësuara rreth 3 mijë kuota. Më problematiku sa i përket nivelit të regjistrimeve ka qenë Universiteti “Eqerem Çabej” Gjirokastër, pasi në këtë universitet rezultojnë disa degë me vetëm 3 apo 7 studentë të regjistruar, duke rrezikuar që të mbyllen, pasi nuk kanë numrin minimal të studentëve për të qëndruar të hapura.

Në këtë universitet nga 1040 kuota pranimi, janë regjistruar vetëm 402 studentë, ndërkohë që vijon të ketë të lira 638 kuota. Kështu, në Universitetin “Eqerem Çabej” janë regjistruar më pak se 40% e kuotave të pranimit, përkatësisht janë regjistruar 38.65% e studentëve.

Ky nivel i regjistrimeve vë në pikëpyetje ekzistencën e këtij universiteti. Në degën Ekonomi Turizmi janë regjistruar vetëm 3 kandidatë, nga 50 kuota që janë në total; në degën Matematikë-Fizikë nga 60 kuota janë regjistruar vetëm 7 studentë; në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe janë regjistruar vetëm 14 studentë nga 65 kuota pranimi, po ashtu edhe në degën Fizikë dhe Teknologji Informacioni janë 14 studentë të regjistruar nga 60 kuota pranimi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Me sa duket, ky proces dhe këto kritere të reja pranimi nuk dogjën vetëm studentët, por edhe universitetet. I pyetur për këtë situatë, rektori i Universitetit “Eqerem Çabej”, Bektash Mema në një intervistë për “Gazeta shqiptare” ka folur në lidhje me procesin e regjistrimeve në këtë universitet dhe se janë në total 4 programe studimi, të cilat rrezikojnë të mbyllen, pasi nuk kanë numrin minimal prej 10 studentësh që të qëndrojnë të hapura.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Faktikisht janë 4 programe studimi, të cilat nuk plotësojnë numrin minimal të studentëve të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për të qëndruar të hapura.

Janë dy programet që keni përmendur edhe ju në gazetë, Ekonomi Turizmi, Matematikë-Fizikë si dhe dy programe të tjera, Gjuhë-Letërsi Italiane si dhe Histori e Gjuhë Italiane.

Nivelin e ulët të regjistrimeve ne vumë re që në fillim, por duke qenë se regjistrimet vijuan deri në datë 1 nëntor, ne pritëm se mos plotësohej numri minimal.

Tani që ky numër nuk është plotësuar, do t’i dërgojmë shkresë Ministrisë së Arsimit dhe do t’i kërkojmë që studentët e regjistruar në këto degë të transferohen në programe të ngjashme dhe normalisht që këto degë do të mbyllën”- tha Rektori Bektash Mema.

/G.Sh/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?