Rektori i UBT: Mbi 700 kuota për raundin e dytë. Studentët e Bujqësorit kanë mundësi të mëdha punësimi
Pas mbylljes së raundit të parë të pranimeve, në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) kanë rezultuar mbi 700 kuota të lira. Rektori Bahri Musabelliu, u bën apel të rinjve që të aplikojnë për degët e Bujqësorit në raundin e dytë, duke theksuar se bujqësia është perspektiva e zhvillimit të vendit, çka do të thotë se dhe shanset e punësimit janë të mëdha.
Musabelliu: “Universiteti Bujqësor ka 1966 kuota totale, deri në këtë moment janë regjistruar 1241 kandidat. Në Fakultetin e Ekonomisë numri i të regjistruarve ka arritur në rreth 85-86%, në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare është përsëri në këtë nivel. Në fakultetet e tjera ka më shumë vende bosh. Perspektiva e zhvillimit të këtij vendi në mënyrë të padiskutueshme është bujqësia, industria bujqësore dhe të gjitha degët e lidhura me të. Pra, mundësia për t’u punësuar është shumë më e madhe”
Rektori sqaron se kurrikulat e Universitetit Bujqësor janë sipas modelit gjerman dhe amerikan dhe i përgatisin studentët me kompetenca të shumëfishta.
Musabelliu: “Përpjekjet që bëjmë ne për të integruar, bashkërenduar teorinë me praktikën mundëson që këta studentë që diplomohen te ne të fitojnë kompetencat e duhura profesionale për t’u përshtatur shumë shpejt, por edhe për të pasur mundësi për ridiplomime dhe për më shumë profesione”
Nga një studim i bërë nga Këshilli i Lartë për Kërkimet Shkencore në Spanjë për rankimin e universiteteve, Universiteti Bujqësor i Tiranës është renditur i pari në Shqipëri.
Musabelliu: “Në vitin 2017, Këshilli i Lartë për Kërkime Shkencore në Spanjë, që është pjesë integrale e Ministrisë së Arsimit të Spanjës, ka bërë një kërkim në nivel botëror për rankimin e universiteteve dhe Universiteti Bujqësor për Shqipërinë në kuadër të universiteteve shqiptare është renditur më i miri, i pari”
Aktualisht në UBT ka nisur rikonstruksioni i plotë i infrasturukës për t’u shndërruar në një kampus të vërtetë universitar.

