Remzi Lani, ja se ç’mendonte për pluralizmin, median, shoqërinë me 15 nëntor 1991!

-Botuar me 15 nëntor 1991, KOHA JONE-

Intervistë e zotit Remzi Lani, Kryeredaktor i Gazetës “ZËRI I RINISË” dhënë gazetarit të gazetës KOHA JONE, Marash Mirashi. 

Zoti Lani çfarë ndjeni në këtë çast kur gazeta e qytetit tuaj të lindjes ka dërguar një djalë për të biseduar me ju?

Çfarë ndiej? Padyshim një nga kënaqësitë e veçanta që lidhen me vendlindjen, me qytetin tënd, i cili të ndjek pas kudo, të shfaqet në ëndrra, të tërheq me një forcë të magjishme. Kam edhe një arsye më tepër për ta pritur me dëshirë ftesën tuaj dhe kjo lidhet me gazetën “KOHA JONË”. 4 vjet më parë në mars të 1987 unë punova së bashku me Kujtim Dashin, kryeredaktorin e parë të gazetës së Lezhës, për të nxjerrë numrin e saj të parë. Ruaj në sirtarët e mi kopjen e parë të gazetës që doli nga rrotativa.

Çfarë kujtoni më shpesh nga Lezha?

Gjithmonë kam menduar se në Lezhë jetonin poetët më të talentuar dhe burokratët më të  këqij. Për mua qyteti bënte dy jetë: njëra ishte jeta e librat, e poetëve dhe e shkollarëve dhe tjetra ishte jeta e burokracisë e zyrtarëve dhe e sportistëve. Kultura dhe vaniteti, delikatesa dhe brutaliteti janë ndeshur më shumë se kudo në qytetin tonë. Në Lezhë ngjiste pak a shumë kështu: në shtëpitë e ftohta, nën një ndriçim të zbehtë poetët shkruanin vjersha të bukura, kurse nëpër klube, në zyrat e Komitetit të Partisë dhe të Degës së Punëve të Brendshme burokratët dhe operativët e sigurimit (kalecët apo fuksat, siç i patëm quajtur ne në Lezhë), kurdisnin plane kundër tyre, transferimet për në Zejmen, Rrilë, Shën Koll, Velë të vendit; raportime se lexohej poeti reaksionar (!) francez Pol Elyar; sinjalizime se në Lezhë po vjen pak si shpesh shkrimtari (lexo: liberali) i njohur Ismail Kadare etj. Thashë pra se Lezha kishte, sipas mendjes sime, poetët më të mirë dhe burokratët më të këqij. Unë po përmend vetëm poetët, jo për oportunitet, por edhe sepse dihet se ata mbeten, ata mbahen mend.  Ndoc Gjetja, Rudolf Marku, Agim Isaku dhe Preç Zogaj ishin dhe mbetën shokët e mi të afërt, ishin dhe janë ajo çka mbaj mend unë nga Lezha. Pasdite të tëra të kaluara bashkë, duke folur dhe diskutuar për gjithçka, duke shkruar dhe mallkuar injorancën që dukej se kish vendosur të mos i shqitej këtij qyteti. Besoj mbahet mend ai Sekretar i Parë i Partisë së Punës, që çdo ditë drejtonte mbledhjen e mëngjesit me pjatën e pilafit përpara që ia sillnin në zyrë nga mëngjesorja aty pranë. Nuk e quaj aspak rastësi që Lezha nxori një brez të tërë poetësh, piktorësh dhe gazetarësh. Kultura ishte arma e saj kryesore e rezistencës nën diktaturë. Bashkë me të edhe humori. Në Lezhë me siguri e dinë, por unë kam dëshirë të përmend një ngjarje të vërtetë që tingëllon si anekdotë, por që përsëri, është e vërtetë. Në studion e skulptorit të talentuar, Agustin Shyti, shkon papritur për vizitë (survejim) instruktori i Komitetit të Partisë për kulturën i cili e llogariste veten si njeriu i katërt apo i pesti i rrethit. Gusti po punonte dhe u gjend i befasuar dhe disi keq pasi në studio kish një nudo, e cila mund të bëhej shkak për ditë të zeza. Instruktori vështron rrotull nëpër studio, sheh nudon dhe cakërron sytë.  “Po kjo ç’asht! – flet me ton të rreptë”. Gusti, pa ia bërë syri tërr përgjigjet aty për aty: “një zadrimore shoku Z. Por s’e kam vesh hala”.  “Vishe shpejt..” “Do ta vesh shoku Z.”, i tha Gusti. Dhe instruktori Z. iku i kënaqur. Duket si një histori e nxjerrë nga faqet e Gogolit. E pra, ne nuk deshëm kurrë që qyteti ynë të ishte një provincë Jonicësh, sepse nuk i takonte të ishte provincë.  12 Portat e Lissit dikur të lavdishme, Kalaja dhe Varri i Skënderbeut, Frang Bardhi dhe Pjetër Zarisha, Fishta i Madh, nuk “pajtoheshin”me trajtimin e Lezhës si një rezervat gjuetie, siç deshën ta bënin dhe siç e bënë në fakt feudalët komunistë.

Kontributi intelektual i gazetës “ZËRI I RINISË” është i padiskutueshëm në proceset e demokratizimit. Kjo gazetë i ka dhënë shenjat me kohë. Në një anketë që “KOHA JONË” pati organizuar me drejtues të gazetave qendrore, pothuaj të gjithë të anketuarit cilësojnë si më të mirën gazetën që ju drejtoni prej vitesh, “ZËRI I RINISË”. Po kështu edhe lexuesit i bëjnë një pritje pozitive gazetës. Cili është çelësi me të cilën kjo gazetë ka depërtuar në shpirtin e njerëzve?

Do të ishte një pretendim i tepruar të mendoje se “ZËRI I RINISË” është gazeta më e mirë e vendit. Në anketën që përmendni ju, unë votën time ia dhashë “DRITËS”. Njëkohësisht çmoj “Rilindjen Demokratike”, “Republikën”, e hera-herës edhe “Bashkimin”. Për mua si drejtues i “Zërit të Rinisë” i rëndësishëm është fakti që ndonëse u shtuan 10 apo 15 gazeta të reja, ndonëse erdhi një kohë e re, “Zëri i Rinisë” mbijetoi. Ajo ka lexuesin e vet, autorin e vet, vendin e vet në një shtyp të lirë; ajo konsiderohet si një burim i besueshëm edhe nga agjencitë e huaja. Mendoj se na ka ndihmuar paksa tradita, sidomos viti 90, kur ne u ndeshëm hapur me udhëheqësit komunistë. Sot ndoshta na ndihmon fakti që përpiqemi të mos bërtasim.

Po gazetat që përsërisin refrenin e stoqeve përgjatë trotuareve: “Na blini edhe ne, pse s’na blini”, ç’duhet të bëjnë në të ardhmen?

Mos kërkoni të jap këshilla. Kjo është një punë shumë më e rëndë se puna e kryeredaktorit. Madje, sot të bëhesh kryeredaktor i një gazete është shumë më e lehte, sikurse është bërë shumë më e lehtë që koshi i një gazete të shërbejë si faqe e parë e një gazete tjetër. Sot kërkesat për kryeredaktor kanë arritur kulmin, aq sa unë kam frikë që edhe një të paaftë që kam në gazetën time, po ta shkurtoj shkon e bëhet kryeredaktor i ndonjë gazete, dhe ec e prit ndonjë faqe të posaçme pastaj. Më duket se u përgjigja njëfarësoj.

Më mirë një pyll në periferi apo një gazetë që thërret çdo ditë që në kryeartikull gjoja gjithë shqetësim: “Kush na i pret pa kriter pyjet”?

Më vjen shumë keq për pyjet, veçanërisht për ata drurë që u takon të priten për stoqet e Gazetës së Partisë Ekologjike.

Në ç’periudhë “ZERI I RINISË”, që kur e drejtoni ju, ka pasur ekipin më të mirë të gazetarëve, a vijnë më në “Zërin e Rinisë” ata?

Deri para dy vjetësh në “Zëri i Rinisë” punonin Preç Zogaj, Ilirian Zhupa, Lazër Stani. Ky ka qenë pa dyshim ekipi më i mirë i gazetarëve me të cilët kam punuar. Ishte kohë e paharruar ajo. Shpesh përfytyroj se ç’mund të bënim sot po të ishim përsëri së bashku. A vijnë ata? Sigurisht që vijnë. Një lexues i vëmendshëm i gazetës besoj e vëren se ata nuk mungojnë.

Ç’duhet të bëjë një gazetë për të krijuar tipin e lexuesit?

Të mos mbrojë sot atë që mund të mallkojë nesër. Të mos shtiret, ose, siç thotë Haveli, “të mos shtiret sikur nuk shtiret”.

A do t’ia rekomandoni, ta zëmë, një letrari të talentuar të punonte në redaksinë e një gazete partiake. Çfarë i jep dhe çfarë i merr një gazetë e tillë atij?

Gazeta si e tillë është padyshim një shkollë e madhe, me mjaft interes për cilindo që shkruan. Në këtë kuptim, të punosh në një gazetë është një fat i mirë. Por, unë mendoj se për letrarët e rinj, madje për shkrimtarët në përgjithësi, një gazetë partiake është tepër e ngushtë. Ndoshta e kam gabim por unë s’e përfytyroj dot, ta zëmë Ilirjan Zhupën apo Rudolf Markun duke shkruar një kryeartikull që fillon me frazën: “Alternativa që jep partia jonë është e vetmja që do të na çojë përpara…” Mendoj se për intelektualët më i përshtatshëm është shtypi i pavarur.

A ju pëlqen të merreni me politikë?

Nuk mund të them se jo, sidomos kur shoh nivelin e ulët intelektual të Parlamentit tonë, kur shoh që për të pritur përfundimisht se sa bëjnë 2+2, duhet të dëgjosh një njeri që thotë se 2+2 = 3, një tjetër që thotë se 2+2=5 dhe më në fund, pas shumë debatesh me shumicë votash, del se 2+2=4.  Ndoshta e vulgarizova pak si tepër me shembullin që dhashë, por më duket se sot më shumë se për gjithçka kemi nevojë për politikanë.

Flitet shumë për intelektualët e anshëm dhe të paanshëm…

Më duket një diskutim i sajuar, me synime jo fort të qarta, për të mos thënë të mbrapshta. Sot në Shqipëri nuk ka intelektualë të paanshëm. Një ditë dikush më tha se “Zëri i Rinisë” është një gazetë e paanshme. Madje atij i pëlqente pikërisht kjo paanësi. I thashë se unë dhe “Zëri i Rinisë” nuk jemi të paanshëm. E konsideroj veten një opozitar të pavarur. Dhe në përgjithësi mendoj se opozita jopartiake mund të luajë një rol gjithnjë e në rritje në fatet e sotme dhe të ardhshme të Shqipërisë. Ata që shtrojnë temën e intelektualëve të paanshëm, në fakt thonë vetëm gjysmën e fjalisë. Gjysma tjetër është “… ja, intelektualët nuk janë me opozitën”. Territorin e të pavarurve, neokomunistët priren ta shohin si tokën e tyre, por në fakt s’është ashtu. Inteligjenca shqiptare me kohë diti ta zgjedhë rrugën e kundërshtimit të komunizmit dhe të neokomunizmit.

Kur patët intervistuar Kadarenë para një viti e gjysmë, më duket, ai i qe përgjigjur guximit tuaj me të njëjtën monedhë. Diktatura ishte në fuqi. Si ia arritët?

Do të thosha të kundërtën: ai që guxoi i pari ishte Kadareja, unë dhe shokët e mi të redaksisë iu përgjigjëm. Ismaili më paralajmëroi “shiko, mua s’kanë ç’të më bëjnë, ti mund të kesh telashe”. Unë i thashë se i kam marrë parasysh pasojat. Pas meje intervistën e lexoi Preçi dhe më tha: “kjo s’kalon lehtë, por duhet botuar. Në fund të fundit s’kanë ç’të na bëjnë”. Dhe intervista u botua.

Jehona e saj dihet. Telefoni binte vazhdimisht, njerëzit uronin. Pas dy ditësh erdhën letrat e para me përgëzime, por paralel me këto në Komitetin Qendror të PPSH-së shkonin letra me sharje dhe mallkime. Një ish-oficer i lartë i sigurimit i kish shkruar 10 faqe letër Ramiz Alisë, ku redaksinë tonë e cilësonte si “çerdhe të liberalizimit”, që shkel mbi figurën e shokut Enver etj. Kur agjencitë e huaja transmetuan komente për intervistën e ndjeva se telefoni për t’u paraqitur në Komitetin Qendror të Partisë do të binte nga çasti në çast, por pa rënë telefoni, se ç’ngjiste atje lart e mora vesh nga Spiro Dede. Më takoi në rrugë dhe më tha: “Duhet të jesh i përgatitur se do të thërrasin. Ata janë nxehur keq. E kishin nënvizuar rresht për rresht gazetën”. Duket se Kadareja kish dhënë një goditje mjeshtërore, pikërisht në momentin e duhur. Ngjarjet e janarit në Shkodër dhe përpjekjet për demonstratë në Tiranë kërkonin një mbështetje intelektuale të fuqishme.  Nga ana tjetër platformës pseudodemokratike të udhëheqjes së PPSH, që kërkonte edhe lidershipin e demokratizimit, madje pasaportën e nismëtarit të tij, i duhej vënë përballë një platformë e vërtetë demokratike, të cilën Kadareja e dha me intervistën e tij për t’u pasuar më pas nga intelektualët e tjerë. Më thirri në zyrë Foto Çami. M’u duk se e kishin ngarkuar ta bënte këtë punë, pasi fliste si me përtesë, duke parë në një letër ku kish shënuar disa pika dhe duke përsëritur: “po mirë, në dy faqe gazetë, s’përmendet asnjëherë fjala “parti” ose “ç’do të thotë kjo: kombëtarja mbi ideologjiken”. Dola me një këshillim: “duhet të keni kujdes. Reaksioni i shfrytëzon këto gjëra etj.” Dukej qartë se jehona e intervistës e kish trembur keqas. Ky takim më siguroi se ata s’do të mund të vepronin kundër nesh. Pas intervistës së Kadaresë në mars, erdhën shkrimi i Ylli Popës dhe Poema e Bardhyl Londos në prill, shkrimi i Sali Berishës në maj etj. Dua të shtoj diçka: kur unë çoja në shtypshkronjë intervistën e Kadaresë kisha parasysh se në sektorin e shtypit nuk ishin më burokratët e mëparshëm, por një njeri i kulturuar, të cilin, për më tepër e kisha edhe mik, Mehmet Elezi.

Meqenëse jemi te më i madhi shkrimtar shqiptar: a mund t’i thoni lexuesit të gazetës sonë, se si ka lindur miqësia midis jush dhe Kadaresë, a e patët ndjerë largimin e tij dhe si ia gjykuat atë, a shpresoni se ai një ditë do të kthehet dhe si ia gjykoni kthimin, a do ta takonit tani së shpejti atë, etj.?

Nuk mund të them saktësisht se në cilin vit ka lindur miqësia ime me Kadarenë. Shkrimtarët e rangut të Ismailit, njeriu i njeh herët, që kur fillon të lexojë libra. Di vetëm që erdhi një kohë që nuk takoheshim më rastësisht, por i telefononim njëri-tjetrit, madje kishim edhe dëshirë të shkonim diku më shpesh në Lezhë për të kaluar një pasdite.

Nuk mund të them se nuk e pata ndjerë largimin e tij. Padurimi për të botuar “Ftesë në Studio”, dhurimi i disa dorëshkrimeve, gjë që më parë nuk bënte pjesë në zakonet e tij dhe sidomos kafeja e fundit në “Dajti” një ditë para ikjes formuluan në kokën time pyetjen: “Mos nuk do të kthehet?”

Një ditë përpara 27 shtatorit, kur ai iku u takuam në “Dajti” për një kafe. Atë ditë, unë do të shkoja me shërbim në Elbasan. Ismaili më dha “Qorrfermanin” duke më thënë ta lexoja dhe kur të kthehej t’i jepja një mendim. Më dha edhe dy kopje të shtypura të “Migjenit”, njërën për Tefik Çaushin, tjetrën për Preçin. “Jepua kujtim nga unë”, tha.  Insistoi të paguante ai. Më pas insistoi ta përcillja një copë rrugë, megjithëse mua po më kalonte ora e nisjes për në Elbasan. Kur më 25 nëntor, gazetari francez Nikola Miletiç, më tha në Pallatin e Kongreseve se “Kadare kërkoi strehim politik”, thashë me vete “Paska qenë e vërtetë”. A isha dakord me të? Sigurisht që po. Unë dija përpjekjet e tij të pafund, dija përgjigjen e Ramiz Alisë, dija se njerëzit prisnin nga Ismaili. Koha tregoi se Kadare nuk u gabua. 25 tetori nga 9 dhjetori kishin vetëm një muaj e gjysmë në mes. Për pyetjet e tjera, do të doja t’u përgjigjesha pasi ta takoj Kadarenë javën e ardhshme në Paris. Një gjë është e sigurtë: ai mendon për kthimin.

Ç’do të thotë të kesh qenë parlamentar shqiptar i periudhës 31 mars e këtej. Cili parlamentar ju pëlqen më tepër?

Për këtë duhen pyetur parlamentarët. Për sa i takon preferencave të mia, ato i takojnë Genc Rulit.

Si lindi ideja për të ftuar në gazetë kreun e enveristëve shqiptarë?

Unë e quaj normale që në një gazetë të pavarur të flasin të gjithë.  Përndryshe liria e shtypit do të mbetej një frazë e zbrazët, një frazë në letër. Pas ngjarjeve të shkurtit, organizata e enveristëve u bë një fantazmë që filloi të shfaqej në sfondin e ngjarjeve politike, pa guxuar të dilte në skenë. Unë mendova ta ftoj në skenë, që njerëzit të merrnin vesh se kush ishin këta njerëz, ç’mendonin. Përveç kësaj donkishotizmi gjithnjë përbën një fenomen që paraqet interes. Simbioza e tij me një ortodoksi fanatike enveriste padyshim që do të rezultonte në një diçka tragjikomike, një tragjikomizëm ballkanas, që ia kalonte ku e ku Sojliut të Mançes. Dhe më duket se kur lexoja frazat e tipit “Enveri parashikonte një univers larg”, njeriu duket sikur ndeshte në një orë të ndryshkur që kish mbetur në ditën e inaugurimit të shtatores së Enver Hoxhës, ndërsa mbahej fjalimi kryesor.

Është bërë shumë zhurmë për një intervistë që zoti Frrok Çupi ka dhënë në “Koha Jonë”. Më pas vërshuan disa sulme kundër nesh: monist, komunist, ZP-istë etj.

Çudi! Si ju quajtën vetëm monistë dhe jo edhe omonistë.

Kur konsiderohet e zhdukur diktatura sipas jush, cila shtresë e shoqërisë e përcjell e fundit diktaturën?

Diktatura në Shqipëri është përmbysur, por nuk është zhdukur. Ka ngjarë diçka e ngjashme me atë që ndodh kur përmbyset një makinë. Ajo nuk punon më, por është aty, e shkatërruar. Diktatura në Shqipëri nuk është çmontuar ende. Në makinën e përmbysur, është i njëjti shofer, ai që e çoi atë drejt greminës. Aty janë mekanizmat e saj të verbër, të cilët vetëm sa janë zhvendosur paksa. Besoj se e kuptoni se e kam fjalën për sigurimin, Alias Shikun.

Ç’duhet të bëjmë për të zhdukur diktaturën? Një operacion politik të plotë, me të cilin unë kuptoj një Parlament dhe një President të ri të zgjedhur në mënyrë demokratike, pa mashtrime televizive, pa eufori mitingjesh, pa replika të stilit të “Zërit të Popullit”. Shqipëria ka nevojë t’i nisë gjërat nga e para. Është e qartë se kjo nuk u intereson të gjithëve, sidomos atyre mekanizmave të verbër që diktatura i krijoi për të mbajtur veten në këmbë. Ata s’bëjnë dot pa diktaturën, ata e ëndërrojnë natë e ditë atë. Veçse tani me sy hapur. Është e qartë se kjo nuk i intereson gjithashtu klasës së mediokracisë. Kjo klasë i solli shumë të këqija Shqipërisë. Dhe si një infeksion i keq kërkon të brejë akoma. Besoj se s’ka mbetur njeri që s’e ka marrë vesh krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Tani tabloja u plotësua: kemi komunistë dhe neokomunistë. Lum si ne! Amen!

Ju jeni njëherësh edhe anëtar i Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. A është i lirë njeriu shqiptar, nëse jo, kush ia privon lirinë atij?

Natyrisht, nuk mund të krahasohet liria që gëzon sot njeriu shqiptar, me shtypjen e rëndë të diktaturës. Liria e shtypit, organizimi në parti e shoqata, manifestimet dhe grevat pa dyshim flasin për liri, për ushtrim të demokracisë dhe të të drejtave të individit. Por kjo s’më pengon të shoh se njeriut të thjeshtë i përplaset dera njëlloj si më parë nga ai nëpunësi i mesmë që është aty ku ishte (tashmë “i rinovuar”). Kjo s’më pengon gjithashtu të shoh se kjo liri cenohet rëndë në radhën e gjatë të qumështit dhe të mishit.

Nëse për një apo tjetër arsye ju duhet të braktisni gazetarinë, çfarë do të preferonit më tej?

Tani është vonë për t’u ndarë nga gazetaria. Megjithatë, kur mendoj një ndarje, përpara më dalin librat e filozofisë nga Rozher Bekoni te Dekarti, një periudhë që më ka tërhequr dhe më tërheq. Ndoshta do të merresha me ta. Kur i shoh këto libra më kujtohet Niçe: “dhe kur të më keni harruar, unë do të shfaqem përsëri”.

Në radhë të parë ju jeni intelektual i Lezhës. A mendoni se “shkolla lezhjane e poezisë” do të “diplomojë” të tjerë poetë të mençur dhe cilët mund të jenë ata? A njihni ndonjë?

Nuk kam dyshim se Lezha do të mbetet “trevë”e poetëve. Njoh disa, që unë besoj se do të marrin siç thatë ju, diplomën e poetit: Alban Bala, Mark Simoni, Marash Mirashi, Rexhina Prela, Alfons Zeneli. S’janë pak, apo jo?

A mund të bëhet Lezha një qytet i bukur në të ardhmen dhe si? Cilës degë të ekonomisë i duhet dhënë më tepër përparësi për të realizuar këtë?

Lexova përpara disa numrash një faqe të gazetës suaj ku përfytyrohej Lezha e vitit 2001. Më pëlqeu shumë. Unë shpresoj që qyteti im të bëhet një ditë ashtu siç guxojmë ta përfytyrojmë. Po ç’duhet bërë: “Jeta, thotë Uitmani, mund të rregullohet aq keq, sa ç’e dikton injoranca, apo aq mirë sa ç’e lejon dituria”. Deri tani diktoi injoranca dhe po e shohim se në ç’ditë të hallit arritëm. Tani e tutje le të diktojë dituria. Është radha e saj.

 

 

SHKARKO APP