Rendi dhe siguria, Berisha: Do të heqim të inkriminuarit nga policia

Sali Berisha premton se nga Policia e Shtetit dhe administrata shtetërore do të largohen ata që janë të inkriminuar. Gjatë prezantimit të programit për sigurinë dhe rendin, kreu i PD-së shprehu bindjen se ka shumë punonjës të zbatimit të ligjit.

”Ata që sot me hijen e krimit trembin qytete dhe qytetarë, i garantoj që nesër, kudo që të jenë, edhe në shpellat më të largëta të këtij planeti, do gjenden dhe do marrin ndëshkimin që meritojnë. Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Por kjo betejë do të nisë me krimin qeveritar. Do të nisë me ministrat, bashkëpunëtorë të kriminelëve, mburojë e kriminelëve”, tha Berisha, ndërsa paralajmëroi betejë me zero tolerancë.

Berisha siguroi se do të ndërmerret me vendosmërinë më të madhe lufta me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. ”Këto dy faktorë bëjnë jetën e shqiptarëve të pasigurt dhe mbjellin pasiguri tek çdo qytetar. Këto dy faktorë varfërojnë progresivisht shqiptarët, i detyrojnë të largohen nga Shqipëria dhe ata që mbeten, mbeten në pasiguri të plotë. Këto dy faktorë janë të lidhur organikisht me njëri-tjetrin”, tha ai.

Berisha siguroi se nga organet e Policisë së Shtetit do të largohen që të gjithë ata që janë të inkriminuar. ”Të ndahen nga droga dhe t’i rikthehen ligjit, t’i rikthehen të drejtave të tyre, t’i rikthehen vendit të tyre dhe shpresës. Nga administrata shtetërore do dalin para ligjit të gjithë ata të cilët kanë mbajtur lidhje me krimin si dhe të korruptuarit. Kjo është një luftë për ekzistencën e Shqipërisë, nuk është një luftë për karrigen e askujt”.

SHKARKO APP