Rënia e rasteve me COVID-19/ Mjeku: Rikthim i grafikut në formën e dhëmbëve të sharrës së thyer, s’ka sistem testimi efikas
Mjeku Erion Dasho ka kritika për Komitetin e Ekspertëve duke e akuzuar për testim jo efikas apo survejance epidemiologjike pas rënies së sotme të rasteve me COVID-19.
Dasho thotë se grafiku tashmë i është rikthyer formës së çuditshme të dhëmbëve të sharrës së thyer dhe kjo krijon pabesueshmëri dhe mungesë serioziteti.
Mjeku shprehet se Shqipëria po ngelet në dorën e tekave të virusit nga mungesa e sistemit prej Komitetit të Ekspertëve.
STATUSI NGA MJEKU ERION DASHO
I MIRI, I KEQI, I ÇUDITSHMI!!!
Komunikimi i rasteve të sotme me COVID i vendos vulën e pabesueshmërisë shifrave tona zyrtare!
Në momentin kur grafiku nisi t’i ngjante një kurbe dhe sot shpresohej sheshimi i saj (rasti më i mirë) ose rritja e mëtejshme (rasti më i keq), ndodhi çudia: rastet pothuajse u përgjysmuan në raport me ditë e djeshme.
Kjo situatë tregon se megjithëse kanë kaluar më shumë se tre muaj, komiteti i “ekspertëve” nuk ka arritur të zbatojë një sistem testimi sado pak efikas apo një sistem survejance epidemiologjike sado pak të besueshëm.
Që prej datës 18 maj, në Shqipëri është duke ndodhur transmetimi i papenguar i COVID dhe pritshmëria është që kurba ditore e rasteve t’i nënshtrohet ligjësive të normalitetit.
Rikthimi i grafikut me formën e çuditshme të dhëmbëve të sharrës së thyer i vendos përgjigjes shqiptare ndaj COVID vulën e pabesueshmërisë dhe mungesës së profesionalizmit.
PAK BESUESHMËRI DHE SERIOZITET JU LUTEM!
PO HUMBISNI RESPEKTIN DHE VËMENDJEN E QYTETARIT!
PO E LINI VENDIN NË DORËN E TEKAVE TË VIRUSIT!