”Rënie e numrit të shtrimeve në spital”, Pipero: Ende larg imunitetit të tufës
Situata e Covid-19 në Shqipëri vijon që të jetë me shifra të larta. Për mjekun infeksionist Pëllumb Pipero, kemi një shtim të rasteve pozitivë, por që nuk ka shkuar paralel me numrin e rasteve të shtruara në spital. Për ATSH-në, Pipero thekson se ”numri i shtrimeve realisht ka rënë, pasi moshat e ekspozuara tashmë që rezultojnë pozitivë janë mosha të reja, që janë më në aktivitet, në marrëdhënie pune etj. Pavarësisht se janë pozitivë sëmuren më pak dhe kanë gjithnjë e më pak nevojë që të shtrohen në spital”.
Lidhur me imunitetin e tufës, Pipero u shpreh se ne jemi ende larg, qoftë edhe bota, të të fituarit të imunitetit të tufës. ”Nuk bëhet fjalë për imunitet masiv të arritur përmes vaksinës, sepse vaksina sapo ka filluar dhe duhet të paktën në rang global që të kalojnë 5-6 muaj nga fillimi i vaksinimit që të arrihet të kalohet 50-60% i popullatës në nevojë për ti vaksinuar dhe duke përfshirë edhe personat që tashmë e kanë kaluar, mendoj se do të arrihej imuniteti i tufës”.
Nga ana tjetër, mjeku nënvizoi se vendi ynë renditet në vendet me ekspozim të lartë dhe mbi 30% e popullatës duhet të ketë rënë në kontakt me Covid-19. Sa i përket pyetjes nëse kemi në Shqipëri raste me virusin e ri, Pipero thotë se ”nuk kemi ende të identifikuar raste që mund të dyshohen me variantet reja, pasi çohen ne laboratorët e referencës në Gjermani, por deri tani nuk kemi pasur si këto raste”.