Rënie të rasteve të reja/Mjeku: Janë ulur shtrimet në spital dhe humbjet e jetës

Shqipëria ndodhet në një situatë tjetër epidemiologjike, krahasur me vendet e Europës që janë futur në karantinë. Ekspertët pohojnë se ka një rënie të ndjeshme të pozitivitetit nga Covid-19, ku janë ulur shtrimet në spital dhe humbjet e jetës. Për epidemiologun, Ilir Alimehmeti, në kushtet aktuale nuk nevojitet ashpërsim i masave.

”Më e rëndësishme është rënia e përqindjes së pozitivitetit që tashmë është 20%, në krahasim me një muaj më parë që ishte 38%, gati është përgjysmuar ky tregues. Nga pikëpamja epidemiologjike ne kemi zbritje të rasteve dhe në këtë situatë nuk mund të kemi ashpërsim të masave”, thotë Alimehmeti.

Në lidhje me shkeljet e rregullave për festa, Alimehmeti fajëson policinë dhe organet e tjera që nuk ndërhynë për të zbatuar masat e komitetit të ekspertëve, veçanërisht në zonën e Juglindjes ku pati dyndje qytetarësh nga rrethe të tjera.

Për ta efekti i grumbullimeve për festat e fundvitit do të ndihet pas 3 javësh ku pritet një rritje e të infektuarve. Ende nuk dihet se si do të jetë situata epidemiologjike në dy muajt e mbetur të dimrit, por Alimehmeti thotë se këtë vit nuk do të ketë grip, për shkak të dominimit të Covid-19.

SHKARKO APP