Reshjet dëborës në Korçë dhe Kukës, rrugë të kalueshme, kalimi me goma dimërore
Reshjet e dëborës kanë përfshirë mëngjesin e sotëm edhe qarkun e Korçës.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha për ATSH-në se “ka filluar puna që sot herët në mëngjes në çdo aks të qarkut të prekur nga dëbora për largimin e saj nga rruga dhe kriposjen”.
Prefekti Jole i bën apel drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes të shtuar e të pajisen me goma dimërore kur udhëtojnë për në zonat me prezencë dëbore.
“Çdo segment po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga Autoriteti Rrugor Qendër-Lindje dhe Policia e Qarkullimit Rrugor. Sipas raportimeve të deritanishme, akset rrugore në qarkun e Korçës nuk kanë problematika sa i përket qarkullimit të mjeteve”, tha Jole.
Jole u shpreh se “gjatë natës ka patur prezence të reshjeve të shiut me intensitet të ulët.Ndërsa sot në mëngjes në orën 06:00 filluan reshjet e dëborës në Qafë Thanë dhe Grabovië, Zemblak-Goricë, Boboshticë-Dardhë. Kontraktorët vazhdojnë punën për pastrimin e rrugës dhe kriposjen e saj”.
Sipas tij, në qarkun e Korçës nuk ka raportime për mungesë të energjisë elektrike.
Gjtihashtu i gjithë territori i qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore me intensitet mesatar.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Agron Geca tha për ATSH-në se “të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme. Nga subjektet kontraktore vazhdon puna për pastrimin e rrugëve nga bora dhe kriposjen e tyre”.
“Në qytetin e Kukësit ka rreth 5 cm dëborë, rrugët nuk kanë probleme. Rruga Kukës – Shishtavec, dëbora po vazhdon me intensitet mesatar deri tani rruga është e kalueshme me zinxhirë. Në aksin Kukës-Bicaj-Kolesjan-Bushtricë, rruga e kalueshme, ka reshje dëndura dëbore dhe stuhi ere në formë cikloni, rruga është e kalueshme me zinxhirë dhe goma dimërore. Në aksin Kukës – Krumë – Has, ka reshje dëbore me intensitet mesatar i kalueshëm me pajisje antirrëshkitëse. Në Tropojë ka reshje dëbore me intensitet mesatar të gjitha akset rrugore janë të kalueshme me pajisje antirrëshkitëse dhe zinxhirë”, theksoi Geca.
Sipas tij, edhe në segmentin rrugor Fushëdukagjin – Qafëshllakë, rruga është e qarkullueshme, mjetet borëpastruese kanë vazhduar dhe po vazhdojnë punën, deri tani rruga nuk ka probleme, qarkullimi bëhet me pajisje antirëshkitëse.
Prefekti Geca bën të ditur se “i gjithë qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike përveç njësisë administrative Kolsh, Surroj, Arren, Bashkia Kukës. Fshatrat Cahan, Mujaj-Dajç, njësia administrative Qendër Krumë, fshatrat Kishaj Pogaj, njësia administrative Gjinaj dhe fshatrat Peraj, Zgjec njësia administrative Golaj Bashkia Has.
Ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Kukës.