Restaurimi i pallateve. Investimi në Tiranë nga Fondi i Komunitetit

50 pallate në Tiranë janë restauruar falë projektit “Fondi i Komunitetit”, ku 50 % të vlerës e paguan bashkia dhe 50 % mblidhen nga kontributet e banorëve.

“Një tjetër pallat te rruga “Thanas Ziko” i bashkohet buqetës sonë të pallateve të transformuara. Sot e çojmë në 50 projekte të tilla, aq sa kemi bërë kënde lojërash në çdo lagje. Pra, pallatet janë veshur me kapotë, janë sistemuar e rregulluar. Vetëm për dikë që ka punuar përditë e kupton se sa përpjekje duhet që t’i bindesh banorët të bien dakord, të mbledhin pak financa bashkë dhe pastaj, bashkia ta dyfishojë atë kontribut, duke u siguruar që banorët shpërblehen për këtë llojë sjellje”, tha Veliaj.

Restaurimi i pallatit me Fondin e Komunitetit, përveç riparimeve të tjera dhe lyerjes së fasadës parashikon termoizolim, çka ndikon në uljen e faturës së energjisë te banorët.

“Çfarë ndërtimesh jo cilësore mund të jenë bërë në vitet 70-80-90, siç është ky pallati i viteve 70-të, disa herë me punë vullnetare, disa herë jo me teknikat më të mira inxhinierike, nuk i zhbëjmë dot sepse ka mijëra banorë që jetojnë në këto pallate, por ajo që mund të bëjmë është të rregullojmë sa të mundemi. Për të bërë bashkë një pallat do shumë punë dhe shumë përpjekje. Megjithatë, fakti se në nivel kapilar ka filluar ky lloj mirëkuptimi dhe ndjenjë qytetarie, më jep shumë kurajo për mandatin e dytë dhe besoj nga 50 pallate do të shkojmë në shumëfishin e tyre, për t’u siguruar që kur mbyllim këtë mandat çdo pallat, të jetë kopsitur më e mira e mundshme, krahasuar me atë që gjetëm,” deklaroi kryebashkiaku.

Nga ky projekt përfitojnë banorët e pallateve, të cilët kanë zgjedhur një administrator dhe është certifikuar nga bashkia.

SHKARKO APP