Restaurohet stacioni antik Ad Quintum, një nga thesaret e Rrugës Egnatia

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka përfunduar restaurimin e Stacionit Antik Ad Quintum, një monument i rrallë përgjatë rrugës Egnatia, duke hedhur një hap të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Ky stacion antik, i njohur si një nga ndalesat më të rëndësishme të rrugës Egnatia, ndodhet në fshatin Bradashesh, pranë Elbasanit. Në lashtësi, ai shërbente si një mutatio (stacion pushimi) për udhëtarët dhe tregtarët që lëviznin përgjatë kësaj arterieje të rëndësishme romake. Një nga elementët më të veçantë të këtij stacioni është hamami, një kompleks banjash publike që daton në shekullin e II të erës sonë.
Stacioni ka një planimetri drejtkëndëshe me sipërfaqe 130 m² dhe përbëhet nga dhoma e zhveshjes, mjedisi i ngrohtë dhe ai me ujë të ftohtë. Sistemi i ngrohjes funksiononte me një furrë dhe një sistem hipokaust, duke siguruar qarkullimin e gazrave të nxehtë përmes dyshemesë dhe mureve.
Gjatë regjimit komunist, këto banja u mbyllën dhe me kalimin e viteve, shumë prej strukturave ranë në gjendje të degraduar. Megjithatë, falë restaurimit të plotë, Stacioni Antik Ad Quintum tashmë është gati të mirëpresë vizitorë dhe të rijetojë si një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë historike të Elbasanit.
Ky monument kulturor, i mbrojtur nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, pritet të tërheqë turistë dhe studiues të historisë, duke i dhënë një vlerë të shtuar turizmit kulturor në zonë.