Restaurohet Teqeja e Koshtanit në Memaliaj, ministri Gonxhja: Mbart vlerat e traditës bektashiane, kontribut i çmuar për arsimin shqip
Teqja e Koshtanit në Memaliaj po i nënshtrohet një procesi restaurimi dhe konservimi, me synim ruajtjen e vlerave historike, kulturore dhe arkitekturore të këtij monumenti. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili ka publikuar edhe pamje nga punimet që po zhvillohen në objekt.
Teqja e Koshtanit është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I dhe përfaqëson një prej dëshmive të rëndësishme të traditës bektashiane në këtë zonë. Monumenti lidhet gjithashtu me historinë e arsimit shqip, pasi në vitin 1908 aty u hap shkolla e parë shqipe në krahinën e Tepelenës.
Sipas ministrit Gonxhja, ndërhyrja synon të ndalojë procesin e degradimit të objektit dhe të garantojë ruajtjen e autenticitetit të tij. Restaurimi i Teqesë së Koshtanit vlerësohet si një hap në funksion të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe ruajtjes së monumenteve me rëndësi për historinë dhe identitetin e komuniteteve lokale.
Postimi i plotë
Teqeja e Koshtanit në Memaliaj po i nënshtrohet restaurimit dhe konservimit, një investim që dëshmon angazhimin tonë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Monument Kulture i Kategorisë I, kjo teqe mbart vlerat e traditës bektashiane dhe një kontribut të çmuar për arsimin shqip, me hapjen, në vitin 1908, të shkollës së parë shqipe në krahinën e Tepelenës.
Përmes kësaj ndërhyrjeje, ndalim degradimin dhe mbrojmë autenticitetin e monumentit, duke përmbushur përgjegjësinë për t’ua përcjellë këtë pasuri brezave të ardhshëm.
Po e çojmë përpara këtë angazhim me investime konkrete, sepse ruajtja e trashëgimisë është detyrim shtetëror dhe pjesë e vizionit tonë për zhvillimin kulturor, shoqëror dhe ekonomik të komuniteteve.

