Revista amerikane kishte “paralajmëruar” grabitjen në Rinas?
Grabitja që ndodhi gjatë ditës së djeshme në aeroportin “Nënë Tereza” bëri jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.
Kujtojmë këtu se fillimisht u tha se ishin grabitur 2 milionë euro, por më pas ishin mediat ndërkombëtare ato që do të raportonin se ishin vjedhur 10 milionë euro.
Por ku renditet vendi ynë për sigurinë që ofron në aeroporte?
Sipas një klasifikimi bërë nga revista amerikane “Global Finance” Shqipëria radhitet në vendin e 69-të në fushën e sigurisë në aeroporte ndër gjithsej 128 shtete.
Ndërsa në krahasim me vendet e Ballkanit, vendi ynë ka aeroportin më të pasigurte. E çka është më e vështirë për t’u besuar është fakti se edhe disa vende në Afrikën Lindore dhe Lindjen e Mesme kanë rritur ndjeshëm sigurinë duke caktuar një perimetër të gjerë sigurie rreth e rrotull aeroportit.
Po ashtu në këto vende makinat dhe autobusët shqyrtohen dhe kontrollohen nga personeli i trajnuar i sigurisë.
Nëse ky personel ka dyshime për ndonjë automjet ose udhëtar ata nxirren jashtë perimetrit të sigurisë për një inspektim më të plotë.
Në aeroportin “Nënë Tereza” udhëtari lejohet të hyjë direkt në godinë, pasi në dyert e aeroportit nuk ka rojë sigurie, në pjesën më të madhe të aeroporteve në botë, si brenda ashtu edhe jashtë godinës, policët patrullojnë dyert e hyrjes duke ndaluar çdo udhëtar të dyshimtë.
E super grabitja që ndodhi dje, ku mbeti i vrarë edhe grabitësi Admir Murataj ishte një kronikë e paralajmëruar.

KOHA JONË SONDAZH

