Revolucioni i heshtur turistik i Beratit

Që prej vitit 2008, kur qyteti i një mbi një dritareve u pranua si pasuri e UNESCO-s, turizmi në Berat mori një hov të jashtëzakonshëm. Çdo vit pas pandemisë, është një vit ku thyhet rekordi i turistëve që vizitojnë qytetin. Nga viti 2019 ku në Berat erdhën rreth 200 mijë turistë, në vitin 2022 kjo shifër u dyfishua duke arritur në 400 mijë.

Dhe në 7 muajt e parë të 2023, deri tani në Berat nga të dhënat mësohet se janë pothuajse 400 mijë turistë që kanë ardhur në qytet, duke rritur pritshmërinë që deri në fund të vitit, numri të shkojë në mbi 500 mijë.

Tashmë Berati nuk është më vetëm qyteti i banorëve të tij pasi në një muaj, qyteti ka po aq turistë sa banorë. Bashkë me përfitimet, kjo sjell dhe sfidat e veta dhe Berati po punon për t’iu përshtatur reaitetit të ri.

Bizneset turistike si hotelet dhe bujtinat janë dyfishuar vit pas viti, që tregon se turizmi është sektori kryesor i qytetarëve për të ndërtuar jetesën e tyre. Po ashtu investimet e bashkisë së Beratit synojnë lehtësimin e aksesit në qytet. Ndërtimi i dy unazave të reja në Berat, i parkingut nëntokësor për të lehtësuar trafikun dhe ndërtimi i 2 shesheve totalisht të reja për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe festive i shërbejnë këtij sektori.

Me ritmin e deri tanishëm, sipas kryetarit të Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, shumë shpejt Berati do të kapë shifrën e 1 milion turistëve në vit sepse nuk është rastësi që qyteti është në krye të listës të vendeve për t’u vizituar. Si asnjëherë më parë, Berati rekomandohet në disa revista kryesore botërore për t’u vizituar siç është revista amerikane “Time” dhe vlerësimet e turistëve të huaj për qytetin janë të larta.

Revolucioni i Beratit është se qytetarët kanë filluar të besojnë tek ky qytet që i cili vijon të vuajë sëmundjen e ikjes së të rinjve edhe pse në masë më të vogël. Ata kanë marrë në dorë vetë qytetin e e kanë përcaktuar prioritetin ekonomik të qytetit pasi për herë të parë investimet private të bizneseve dhe qytetarëve janë më të larta se ato të organeve të qeverisjes sa i takon fushës së turizmit.

Incentiva e bashkisë në fillim për ta zhvendosur fokusin te turizmi funksionoi, ndërsa tani detyra e vetme e saj është të mbështesë qytetarët dhe bizneset për t’iu përgjigjur sfidës së numrit të lartë të turistëve duke mos humbur cilësinë.

SHKARKO APP