Rexhina Nano: Fatos Nano sot mbetet ai që ka qenë

(Botuar me 30 Prill 1995 në KOHA JONE)
Flet për “KJ” zonja Rexhina Nano

Si e gjykoni qëndrimin e opozitës në lidhje me pranimin e Shqipërisë në KE, e në veçanti të PS, kur dihet se kjo e fundit ka theksuar si shkelje të të drejtave të njeriut burgosjen e kryetarit të saj, Fatos Nanos?
Këto ditë Shqipëria kaloi një sprovë: komisioni politik i Këshillit të Evropës vendosi pranimin e kërkesës për anëtarësimin në këtë institucion. Gjithkush është ndjerë krenar, është ndjerë më i qetë e më me shpresë për të ardhmen, me besim në fjalën e pushtetit të thënë në Strasburg se “puna jonë më e rëndësishme fillon pikërisht tani”. Partitë e opozitës, prej kohësh e dëshirojnë pranimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës sepse ne kemi nevojë për Evropën, të mësojmë, të ndërtojmë një shoqëri të vërtetë demokratike, kemi nevojë për Evropën edhe në drejtime politike, sociale, ekonomike. Kjo mbetet një thënie e opozitës shqiptare që më thellë shpreh pastërtinë e mirësinë e qëllimit të saj, është një qëndrim që meritoi edhe respektin e Evropës. E përshëndes opozitën shqiptare në veçanti Partinë Socialiste për qëndrimet e saj dinjitoze në çdo situatë të vështirë politike. I nderoj me respekt të gjithë socialistët që me pjekurinë dhe zemrën e tyre të madhe mbi gjithçka vënë interesat e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, nuk mund të mos shpreh keqardhje për pozitën shqiptare që jo vetëm nuk e vlerëson qëndrimin e opozitës, por me deklaratat e saj të papërgjegjshme vazhdon të bëhet shkak i tensionimit të situatës. Dyfytyrësia e pushtetit është e dukshme dhe e pandreqshme: të kesh një fytyrë engjëlli për ambientet diplomatike dhe një tjetër prej djalli për opozitën është e rrezikshme për demokracinë e brishtë shqiptare.
Si e komentoni një shtim të sulmeve kohët e fundit ndaj bashkëshortit tuaj tashmë të burgosur për më shumë se një vit e gjysmë?
Megjithëse e kanë burgosur F. Nanon prej gati dy vjetësh Berisha dhe klika e bashkëfajtorëve të strukur rreth tij vazhdojnë të ulërijnë në panik, nuk i zë gjumi dhe nuk rrinë dot rehat mbi “çifligjet” e krijuara pa djersë, të tmerruar nga reputacioni brenda dhe jashtë vendit i Fatos Nanos dhe i PSSH. Dikush i cilëson “kriminel” dikush “hero të fabrikuar nga vetë Berisha”, dikush i ndërron babanë e kombësinë (për të mos përmendur të tjera) – akuza e shpifje të çartura të mendjeve të sëmura, të qenieve që kanë krijuar pushtet dhe kërkojnë të sundojnë me mjetet e forcës, me rrugën e krimit, që nuk guxojnë të maten as me vota e as me argumente. Për mua, kjo nuk është tjetër veçse hija e krimeve që ky takëm ka kryer në këto vite, është paniku i përfundimit të “mandatit të mbrojtjes shtetërore” ndaj veprimeve të paligjshme e korrupsionit të tyre, ndaj krimeve politike e ekonomike të kryera. Është paniku i afrimit të ditës kur një shtet realisht ligjor do t’ju kërkojë shpjegime dhe ku njerëzit e revoltuar të paktën do t’i pështyjnë kur të mos rrethohen më nga “body guard”.
Duke patur parasysh qëndrimet e vazhdueshme të Nanos nga brenda burgut duket se ai “nuk ka vënë mend”, me gjithë hekurat që e shtrëngojnë?
Nuk është “heroizëm i fabrikuar” të mos i trembesh Dragoshëve, Qelëshëve, Gazidedeve, është vetëm një prezantim publik i karakterit të njeriut që nuk mund të deformohet, nga shtrëngimi i prangave të pa merituara. Fatos Nano sot është ai që ka qenë, në karakter e në intelekt, në qëndresë e tolerancë, dhe për mua kjo nuk është heroizëm, është e zakonshme sikurse për çdo njeri-tjetër që jeton me nder, i lirë apo në burg qoftë.
Në prag të fushatës elektorale që parashikohet e ashpër, opozita ka bërë thirrje për një pakt social. A ju duket i arsyeshëm një veprim i tillë apo mendoni se është stepje e opozitës përballë mundësive elektorale që ka partia në pushtet?
Thirrjet e opozitës sot për pakt social, edhe pse e mbërthyer në pranga, janë të njëjtat në përmbajtje dhe vazhdim i tërë qëndrimeve të saj, edhe kur ajo ka humbur, edhe kur ka fituar, edhe kur është linçuar politikisht dhe ekonomikisht; kurdoherë ajo ka bërë thirrje për bashkëpunim. Këtë të gjithë e dinë, prandaj e respektojnë dhe e mbështesin opozitën. Por që bota të na respektojë duhet që ne të respektojmë vetveten, gjë që do të thotë, përveç të tjerash, që pozita të respektojë mendimin e opozitës, që do të thotë që edhe vetë partitë opozitare të respektojnë njëra tjetrën, të pranojnë atë vend që u ka dhënë vota e popullit sot e të punojnë për më shumë vend në të nesërmen, jo për t’ju gëzuar kolltukëve e mandateve të deputetit, por për të merituar atë vend që na ofron Evropa në gjirin e saj, për të ndërtuar shoqërinë demokratike, shtetin e së drejtës, në të cilin të dimë të vlerësojmë se të drejtat e njeriut janë rëndësi e dorës së parë.

SHKARKO APP