Rezoluta antikorrupsion nga PS, detaje nga përmbajtja dhe çfarë synon
Kuvendi miratoi sot projekt-rezolutën “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian” dhe u miratua me 76 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim.
Nisma e prezantuar nga vetë kryeministri Edi Rama, shkaktoi debate në sallën e Parlamentit ku në finale mori votat e plota të maxhorancës. Rama pas shumë muajsh, u rikthye të flasë në Parlament, ku mes zhurmës së opozitës i ktheu përgjigje akuzave se shumica kërkon të ndërhyjë në ligjet e reformës.
“Kjo nuk është një luftë vulgare për pushtet”, tha Rama. Opozita e përçarë, por për këtë çështje ishte e unifikuar, duke akuzuar qeverisjen socialiste si arsye të korrupsionit në vend. Me miratimin e rezolutës, tashmë Grupi Parlamentar i PS-së do të dërgojë për miratim në Parlament projektvendimin për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar.
Çfarë synon rezoluta?
Rezoluta synon të nxisë frymën e dialogut konstruktiv politik dhe institucional brenda kuadrit kushtetues e ligjor, ndërmjet tre pushteteve të pavarura si edhe të gjithë aktorëve institucionalë e faktorëve politik e shoqërorë në vend në funksion të një cikli të ri reformimi.
Rezoluta konsideron domodoshmëri jetike për të ardhmen e vendit thellimin e luftës ndaj
korrupsionit e fenomenit të pandëshkueshmërisë në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet.
Ajo e vendos luftën antikorrupsion në fokus të shoqërisë shqiptare dhe të të gjitha institucioneve të shtetit, përmes një përpjekje të bashkërenduar nga Kuvendi, zbatimit të objektivave të Strategjisë kombëtare antikorrupsion dhe të shoqëruar me rekomandime masash konkrete ligjore, institucionale dhe administrative veçanërisht për sektorët më vulnerabël ndaj korrupsionit (kadastra dhe të drejtat pronësore, taksat, doganat, arsimi, shëndetësia, përdorimi i fondeve publike, prokurimet publike, infrastruktura publike, etj), në të gjithë territorin e vendit.
Po ashtu ajo synon rritjen e fokusit të Kuvendit të Shqipërisë, në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE, për konsolidimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës duke konsideruar çështje madhore të një rëndësie prioritare thellimin e reformave për përmirësimin e mëtejshëm të mirëqeverisjes, fuqizimin e luftës ndaj korrupsionit, forcimin e zbatimit të ligjit si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ndër të tjera rezoluta synon të thellojë më tej përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit, si dhe të garantojë pakthyeshmërinë e Reformës në Drejtësi, konsolidimin e saj të mëtejshëm dhe rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë në pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë.