Rezoluta e PPE, Meta: Dënojmë veprimet e qeverisë kundër Belerit

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mbështet rezolutën e Partive Popullore Europiane, ku nënvizohet se maxhoranca duhet të respektojë të drejtat e opozitës në Kuvend. Gjatë një konference për mediat, Meta shtoi se Partia e Lirisë e mbështet plotësisht këtë rezolutë, pasi aty theksohet dhe çështja e Fredi Belerit, për të cilin thotë se iu shkelën të gjitha të drejtat për një proces të rregullt ligjor.

“Partia e Lirisë i bashkohet thirrjes së forcës kryesore politike në Parlamentin Europian për zbatimin e shpejtë të të drejtave parlamentare dhe kushtetuese të opozitës në Shqipëri, duke përfshirë funksionin e saj themelor për të mbajtur ekzekutivin përgjegjës.

Ndajmë të njëjtin qëndrim me PPE se neglizhimi i shtetit të së drejtës, të drejtave themelore dhe lirisë së medias, si dhe korrupsioni i përhapur dhe mungesa e ndarjes së pushteteve, po minojnë rrugën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Partia e Lirisë, ashtu siç theksohete dhe në rezolutën e PPE, dënon ashpër veprimet e Qeverisë shqiptare kundër kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, ndërhyrjen e saj të drejtpërdrejtë për t’i mohuar të drejtën kushtetuese për t’u betuar, ndikimin flagrant tek drejtësia dhe ajo që është më e rënda, burgimin e tij politik, që bien ndesh me vlerat e familjes europiane ku synojmë të aderojmë.

Shprehim gjithashtu të njëjtin qëndrim të evidentuar qartë edhe në këtë Rezolutë mbi domosdoshmërinë e zbatimit sa më të shpejtë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe miratimit të reformës zgjedhore përmes një dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët për adresimin e saj përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme”.

SHKARKO APP