Rezoluta në PE: Gjithëpërfshirje politike në reformën zgjedhore të Shqipërisë
Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit, BE-Shqipëri miratoi të hënën një rezolutë të re për Shqipërinë ku bëhet thirrje për një parlament funksional, gjithpërfshirje politike në reformën zgjedhore si dhe një rol më të madh kontrollues ndaj qeverisjes.
Nga Blerina Gjoka-
Amendamentet e propozuara nga përfaqësuesit e opozitës në delegacionin e përbashkët në Bruksel u miratuan dhe nga përfaqësuesit e shumicës, duke vendosur në dokumentin e rezolutës mesazhe të forta për Shqipërinë në procesin e integrimit me Bashkimit Europian.
Rezoluta thekson rëndësinë e rolit të Parlamentit në procesin e integrimit Evropian dhe zbatimin e ligjit, duke bërë thirrje për një rol më të fortë të tij për të nxitur përfshirjen e opozitës dhe përdorimin e të gjitha mjeteve për të forcuar llogaridhënien e qeverisë.
“Thekson funksionin jetik të kontrollit dhe balancimit të Parlamentit, duke theksuar nevojën për komisione hetimore; rikujton se ligji i ri për komisionet hetimore parlamentare është miratuar pa konsensus; inkurajon përdorimin e mjeteve të ndryshme të mbikëqyrjes duke përfshirë komisionet hetimore, interpelancat dhe mocionet me debat…,” thuhet në rezolutë.
Gjatë seancës dëgjimore, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ngriti shqetësimin për ndryshimin e njëanashëm të ligjit dhe mohimin e së drejtës kushtetuese të opozitës për të ngritur komisione hetimore.
Në një tjetër amendament të rezolutës shprehet keqardhje “për klimën e polarizimit të ashpër politik që derdhet në të gjithë shoqërinë”, dhe bën thirrje për dialog politik gjithpërfshirës për reformën zgjedhore.
PE shpreh keqardhje për mosbërjen e asnjë përparimi nga komisioni ad hoc për reformën zgjedhore dhe “thekson rëndësinë kryesore të përfshirjes së të gjithë zërave nga opozita në procesin e reformës zgjedhore për të siguruar një qasje të vërtetë përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse”.
Në amendamentin për Mjedisin, PE i kërkon Shqipërisë t’i japë përparësi mbrojtjes së mjedisit, veçanërisht në lidhje me ndryshimet në hartën mjedisore, duke bërë thirrje për rishikim të vlerësimeve të ndikimit mjedisor të projekteve dhe konsultime publike përpara projekteve madhore.
“Thekson rëndësinë e ruajtjes së zonave të mbrojtura mjedisore dhe turizmin e qëndrueshëm, duke advokuar për zhvillimin që balancon rritjen ekonomike me ruajtjen ekologjike”- thuhet më tej në këtë amendament.
Por, deputeti socialist Arben Pëllumbi, mbrojti gjatë seancës një projektligj të ri të shumicës që u hap rrugën ndërtimeve turistike dhe ekonomike brenda zonave të mbrojtura.
Më tej, rezoluta kërkon përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe bën thirrje për shmangien e ndërhyrjes politike në sistemin e drejtësisë.
“Shpreh shqetësimin se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe se masat parandaluese vazhdojnë të kenë ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët e cenueshëm,” thuhet në rezolutë./BIRN/