Rezultati drastik në Tiranë, Bejko denoncon Bardhin dhe Tabakun: Njëri ndihmoi kandidatin e Foltores, tjetra hidhte foto nga Bjeshkët e Namuna
Ish-kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko thotë se vendimi i marrë sot nga Enkelejd Alibeaj për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë, ishte një vendim i pa drejtë. Nga ana tjetër, ai ka “sulmuar” sekretarin e Përgjithshëm e PD-së, Gazmend Bardhi dhe Jorida Tabakun për krijimin e një klime jo të shëndetshme brenda partisë.
”Sekretari i Përgjithshëm ka ndihmuar kandidatin e foltores dhe nënkryetarja nuk u duk një ditë në fushatë. Një fundjavë kishin kapur të dy malet. Unë bëja fushatë zonja në fjalë hidhte foto ekzotike nga Bjeshkët e Namuna.
Stresin e fushatës nuk e kam hequr as me kundërshtarët politikë e as me qytetarët, por kam ndenjur netë të tëra pa gjumë për pengesat që na vinin nga brenda partisë.
E kam bërë fushatën pa kokërr leku. Fonde kanë kaluar vetëm pak ditë pasi mbaroi fushata”,-tha Bejko.