Riaktivizohet vatra e zjarrit në masivin pyjor të Tërnovës, era po favorizon përhapjen e flakëve
Zjarri në masivin pyjor të Tërnovës që u shua të hënën, është riaktivizuar këtë të martë. Rreth 10 ha pishë e ah janë djegur. Flakët janë drejtuar drejt kurorës së gjelbër të liqenit të Zi, e vetmja kurorë e paprekur në këtë zonë.
Në terren kanë shkuar sërish për shuarjen e zjarrit rreth 60 forca e mjete të Shërbimit Pyjor, të Shërbimit Zjarrfikës dhe të aparatit bashkiak Bulqizë. Atyre u janë bashkuar rreth 100 forca të ushtrisë nga Burreli dhe Tirana, që po luftojnë me flakët prej tre ditësh.
Si rezultat është bërë e mundur shuarja e 2 vatrave të zjarrit për të mbrojtur kurorën e Liqenit të Zi nga toka. Puna vijon me goditje të përqendruar për shuarjen edhe të 2 vatrave të tjera që janë ende aktive.