Riatdhesimi i shqiptarëve të bllokuar nga Covid-19/Balluku: Ka kritere, jo turizëm
Përshkak të pandemisë së Covid-19, mijëra shqiptarë mbetën të bllokuar. Qeveria shqiptare do të riatdhesojë në total 1 379 persona, ku numri më i madh ndodhen në Itali. Deri tani me ndërmjetësimin e qeverisë është arritur që të bëhet i mundur kthimi i 52 shqiptarëve nga Spanja, 114 nga Gjermania, 110 nga Rumania, 45 nga Bullgaria, 22 nga Franca dhe 33 nga Emiratet e Bashkuara.
Të parët që janë kthyer janë 120 shqiptarë të kthyer nga Italia. Fluturimi është kryer nga “Air Albania”, e cila gjithashtu do të kryejë fluturime dhe në shumë vende të tjera për të riatdhesuar qytetarë shqiptarë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bën të ditur se qytetarët që do të kthehen janë përzgjedhur mbi disa kritike të vendosura nga Ministria e Jashtme.
”Sot nisim fluturimet për misionin e shpëtimit të të gjithë shqiptarëve të cilët ndodhen në Europë dhe kanë nevojë të kthehen në shtëpitë e tyre. Duhet të kemi parasysh disa nga kriteret që ministria e Jashtme ka vendosur. Ata që mund të kthehen janë studentët, ato grupe në nevojë të cilët nuk kanë një strehë sot në qytetet europiane ku ndodhen, ose qytetarët të cilët jetojnë në Republikën e Shqipërisë. Për të gjithë qytetarët e tjerë, nënshtetasit shqiptarë, por që jetojnë, punojnë në vendet e tjera europiane duhet të vazhdojnë të qëndrojnë atje. Ne jemi në luftë, kjo nuk është një kohë për të bërë turizëm e për t’u kthyer pranë familjarëve, padyshim kur të kemi fituar këtë luftë të gjithë do ktheheni në atdheun tuaj për të takuar familjarët”.