Riatdhesimi-Kthehen 157 shqiptarë nga BE. Policia: S’ka azil, mos tentoni kot
Vijon kthimi nga vendet e Bashkimit Europian i shqiptarëve që kishin kërkuar azil për motive ekonomike dhe shëndetësore. Brenda 24 orëve të fundit janë ulur në Rinas 3 avionë të tipit “charter” me shqiptarë të kthyer nga Gjermania dhe Franca. Gjithsej janë riatdhesuar pasditen e sotme 157 shqiptarë, konkretisht:131 shqiptarë janë kthyer nga Gjermania, dhe 26 nga Franca. Frontex në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Policinë Franceze dhe Gjermane ka organizuar tre fluturime me charter për të riatdhesuar shtetasit shqiptarë që kishin kërkuar azil në këto vende. Policia e Shtetit deklaron se po bashkëpunon me të gjitha policitë partnere për të riatdhesuar të gjithë shqiptarët që kërkojnë azil në vendet e BE. Masat shtesë të marra në fillim të muajit gusht kanë sjellë një rënie të shtetasve që kërkojnë të shkojnë në vendet e BE-së me qëllim kërkimin e azilit. Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë atyre që tentojnë apo përpiqen të gjejnë rrugë të ndryshme të mos bien pre e mashtrimeve, të mos bëjnë shpenzime të kota, pasi shanset për azil në vendet e BE-së janë zero. Të gjithë ata shtetas që kërkojnë një shkollim më të mirë, që duan të gjejnë punë të ligjshme, kanë të gjitha mundësitë dhe rrugët ligjore për ti kërkuar në vendet e BE-së.

