Rifillojnë fluturimet në Evropë. Ja shtetet që heqin gradualisht masat kufizuese
Trafiku ajror fillon aktivitetin në Evropë, pas një izolimi mbi dymujor, ku asgjë nuk do të jetë si më parë.
Duke filluar nga 8 qershori, të gjithë udhëtarët që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar janë të detyruar të qëndrojnë 14 ditë në karantinë.
Ndërkohë në Portugali dhe Spanjë, pavarësisht heqjes graduale të masave kufizuese, frika për të udhëtuar me avion mbetet. Duke iu përgjigjur reagimeve nga kompanitë ajrore dhe aeroportet, qeveria britanike tha se nuk po e mbyll vendin, por vetëm po përpiqet që ta mbrojë nga një valë e dytë goditëse nga virusi që tani ka filluar të përhapet me shpejtësi në Amerikën Jugore.
“Tani që shpërthimin e virusit e kemi lënë pas, ne duhet të ndërmarrim hapa për t’u mbrojtur nga rastet e importuar. Ndërsa numri i rasteve në mbarë Mbretërinë e Bashkuara po bie, po rritet numri i udhëtarëve nga jashtë, kjo gjë mund të përbëjë rrezik të madh,” tha ministrja britanike e Punëve të Brendshme Priiti Patel.
Në Portugali, qeveria ka lajmëruar se turistët janë të mirëpritur, ndaj dhe aeroportet e Lisbonës dhe Portos po ndeshen me një trafik më të lartë, ndonëse numri i personelit të sigurisë është më i madh nga ai i pasagjerëve. Tani mbajtja e maskës dhe distancimi fizik është i detyrueshëm për të gjithë.
“Është shumë ndryshme. Çdo gjë është e zbrazur tani. M’u duk sikur i gjithë avioni ishte për mua. U ndjeva i sigurt dhe kjo besoj se është gjëja më e mirë,” thotë një prej pasagjerëve të parë.
Duke shfrytëzuar motin e favorshëm shumë francezë mbushën plazhet në fundjavë, por policia vazhdoi t’ju kujtojë të gjithë se larja në det mbetet e ndaluar.
Në Spanjë, kufizimet mbeten ende në fuqi në Madrid dhe në Barcelonë, dy prej qyteteve të goditura më rëndë nga pandemia. Heqja graduale e masave kufizuese do të fillojë nga e hëna dhe qytetarët do të kenë sërish mundësi të ulen nëpër bare dhe restorante, por duke mbajtur maskë. Spanja është një prej vendeve europiane ku mbajtja e maskës në publik është e detyruar.