Rigerta Loku Tushaj: T’u kthejmë dinjitetin shqiptarëve, të shkëputemi nga mendësia e vjetër politike

-Rigerta Loku Tushaj: T’u kthejmë dinjitetin shqiptarëve, të shkëputemi nga mendësia e vjetër politike

Intervistoi: Albina Gjergji

Politika nuk duhet konsideruar privilegj, por duhet parë si shërbim në të mirë të komunitetit. Të tillë e konsideron nismën dhe përfshirjen e saj në politikë kandidatja për deputete e Nismës Thurje, Rigerta Loku Tushaj. E “brumosur” nga vullneti i mirë dhe ambicia e shëndoshë, Tushaj beson fort që Zgjedhjet e 25 prillit do të sjellin ndryshimin e madh për shqiptarët. E kjo sipas saj vjen vetëm në rast se shqiptarët do të vendosin të shkëputen nga mendësia e vjetër politike, duke votuar për një frymë të re.

“Ka ardhur koha që brezi i ri, i shkëputur edhe nga mentaliteti i vjetër politik të shtrojë më në fund një rrugë të denjë për të gjithë ne. Ndryshimi duhet të lindë që në këto zgjedhje, duke mos na vonuar edhe katër vite të tjera”, shprehet Tushaj për “Koha Jonë”, e cila gjithashtu garanton se, qëllimi i Thurjes nuk është një destinacion, por një ecje që synon të ndryshojë sistemin.

Rigerta, edhe pak ditë na ndajnë nga Zgjedhjet Parlamentare 2021, ku për herë të parë kandidoni edhe ju. Mund të na flisni pak mbi përfshirjen tuaj në politikë? Kush jua propozoi dhe cila është arsyeja kryesore që ju bindi juve t’i hynit politikës?

Që kur jam rikthyer në Shqipëri, gjithmonë që e vogël kam qenë një individ shumë i vëmendshëm dhe aktiv se çfarë ndodh rreth e rrotull meje. Unë kam studiuar për Shkenca Politike dhe kjo është në linjë me shkollimin tim, por  dhe pse ka pasur momente që doja të distancohesha pakëz  ka pasur gjithmonë rrethana që  më shtynin dretj saj. Duke filluar nga gjërat e vogla të përditshmërisë sonë, gjëra të vogla që politika i komplikon dhe i bën të mos ecin e trajtohen njerëzishëm. Jam nga ajo kategori njerëzish që realizimin maksimal e arrijnë atëherë kur bëjnë diçka të mirë për të gjithë. Por për hir të së vërtetës dhe dalja ime në Parlamentin Rural në vitin 2017 ka qenë një shtysë dhe inkurajim i madh për mua. Dua të bëj gjithçka mund që ky vend, nesër të jetë pak më i drejtë për të gjithë ne. Nesër kur të jem një gjyshe, nuk dua të më mbesë merak që nuk u përpoqa, me të gjitha kapacitetet e mia. Sot e ndjej detyrim që unë, bashkë me të tjerë të jemi një alternativë ndryshe në fletën e votimit.

T’i futesh një gare politike, sigurisht që kërkohet një angazhim gjithëpërfshirës. Në fakt çfarë prisni ju nga këto zgjedhje dhe cila është motoja që ju udhëheq në këtë sfidë?

Ta bëjmë qeverisjen më njerëzore dhe t’i kthejmë dinjitetin qytetarit shqiptar. Por, për këtë është shumë e rëndësishme që shqiptari të dalë masivisht e të votojë. Pres nga këto zgjedhje që me ngulm, shqiptarët, t’i japin krahë një klase të re politike dhe kjo klasë të marrë gradualisht fatet e vendit në dorë. Ka ardhur koha që një brezi i ri  i shkëputur edhe nga mentaliteti i vjetër politik të shtrojë më në fund një rrugë të denjë për të gjithë ne. Ndryshimi duhet të lindë që në këto zgjedhje, duke mos na vonuar edhe katër vite të tjera.

Pse pikërisht me Nismën Thurje?

E ke parasysh kur do të zgjedhësh një palë këpucë për të shkuar larg e për të ecur shumë? Kam zgjedhur një palë të reja fringo, janë praktike, të paprovuara nga askush më parë, të pakonsumuara. Janë të reja në krahasim me 2 palë galloshet e vjetra të politikës shqiptare që i kemi parë e provuar. E reja asnjëherë nuk paragjykohet, provohet e më pas dilet në një konkluzion. Nisma Thurje është një lëvizje qytetare, ku që prej 2014 është përpjekur, që për interesa qytetare, politika ta dëgjojë, por që prej 2014 kjo nuk ndodhi asnjëherë.  Atëherë u vendos që meqë nga jashtë askush nuk mundet ta influencojë, apo orientojë politikën shqiptare, kalaja duhet marrë nga brenda. Dhe ja ku jemi, me kandidatët tanë në të 12 qarqet e Shqipërisë si alternativa realisht më e re në tregun e vjetër të politikës shqiptare.

Pikat më të forta të programit tuaj dhe qëllimet specifike të saj?

33 projektligje që prekin të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare janë gati për t’u votuar në parlament. Jemi të vetëdijshëm që ne nuk vijmë në pushtet nesër për këtë menduam që do të jetë më frytdhënëse dhe reale që në vend të një programi të parealizueshëm të hartojmë 33 projektligje që mbrojnë dhe ndihmojnë qytetarin shqiptar. Arsimimi, minimumi jetik, referendumi, zhvillimi rural, personat me aftësi ndryshe, artistët, drejtësia, politika, koncesionet, etj.. Kemi hartuar një shportë të parë projktligjesh që prekin të gjitha sferat e jetës sonë të përditshme. Detajet shkojnë shumë gjatë, por i kemi shpjeguar në faqën zyrtare të Nismës Thurje. Ne presim vetëm të autorizohemi nga votuesi për t’i vënë në jetë.

Si një vajzë, nënë, motër, bijë e rritur në fshat dhe që i njihni me detaje problematikat e zonave rurale, a ka në programin e Thurjes një fokus, një plan konkret mbi përmirësimin e cilësisë së jetës të këtyre banorëve dhe veçanërisht të fermerëve?

Nuk ka qytet të zhvilluar pa një fshat të zhvilluar dhe kjo shkon natyrshëm. Ne kemi mbështetjen më të ulët buxhetore për bujqësinë dhe zhvillimin rural në krahasim me të gjitha vendet e rajonit. Nëse duam të bëhemi konkurrentë me rajonin,  minimalisht duhet të kemi të njëjtat kushte me ta. Do të mbrojmë me fanatizëm prodhimin vendas. Një komunikim konkret mes institucioneve dhe bujqve, blektorëve, peshkatarëve. Duhet të shkojë Azhbr tek ara se ara tek institucionet bujqësore nuk shkon dot. Fermerët e vegjël duhet të asistohen, kreditohen e subvencionohen konkretisht. Eko thurjet e lehtësimi i tyre nga taksat është me rëndësi. Sigurimi i tregjeve bashkiake, ku zonjat punëtore të mos shesin produktet e tyre në rrugë dhe në frikë nga policia bashkiake. Tregjet rajonalë po ashtu. Kemi projektligjin nr. 16 që merret konkretisht me këtë sektor, por edhe unë do të jem një zë shumë i fortë për të çuar zhvilimin rural në parlament dhe për të orientuar konkretisht politikat drejt këtij sektori strategjik për vendin tonë.

E shkolluar jashtë vendit dhe e hapur ndaj opinioneve ndryshe, mund të na thoni nëse patur ndonjë moment që jeni ndjerë e paragjykuar, ose e sulmuar gjatë fushatës?

Në terren, kur njerëzit e kuptojnë kush jam, t’ju them të drejtën, janë shumë të dashur. Por kjo është një sfidë e madhe për mua, duhet të jem e denjë që të meritoj dashurinë dhe respektin që më shprehin. Fillimisht nga ana tjetër ka pasur shumë nëpër rrjete sociale një tjetër fushatë denigruese në lidhje me faktin se, duke u marrë me blektori nuk jam e aftë të merrem me gjëra që kanë një karakter publik. Ata nuk më kanë bullizuar mua, por një profesion që është ndër më të vjetrit dhe të ndershmit që mund të ekzistojë. Puna për mua është nder.

Sa agresive është klima politike në Shqipëri për një femër, e cila nuk kandidon për Partitë e mëdha, por për një Parti të re?

Po vërej gjithnjë e më shumë një farë tendence që Shqipëria ka nevojë për një ajër të freskët në politikë. Kjo është dicka shumë e mirë! Ndryshimi kërkohet pothuajse nga të gjithë, por sa të gatshëm do të jenë vetë shqiptarët për të ndryshuar do ta shohim pas datës 25 prill. Partitë e mëdha kur u ngatërrojmë sadopak fijet, na akuzojnë gjithsecila si patericë e palës tjetër. Por garantoj që qëllimi ynë nuk është një destinacion është një ecje që synon të ndryshojë sistemin e jo të bëhet palë me të. T’ju them të drejtën në këto kushte, në shumë dimensione, një grua e ka shumë më të vështirë të marrë për sipër kandidimin. Sakrificë personale dhe familjare, por vullneti e dëshira për t’ia dalë është më e madhe se gjithçka tjetër.

Pse duhet ta votojnë shqiptarët Rigertën për deputete?

Që kur isha e vogël e kam pasur gjithmonë siklet të lavdëroja veten, apo të vetëdeklaroja se unë isha më e mirë se dikush tjetër. Por ja që më duhet ta bëj tani që jam më e rritur (qesh). Kam kurajon të flas e veproj pa bindje politike, por me arsye e ndjeshmëri njerëzore. Kam dashurinë e vullnetin të dëgjoj e kuptoj njeriun jo statusin që ka. Kam mendësinë të prodhoj e kuptoj ligje se jam e bindur që nesër do t’i pësojmë, apo gëzojmë të gjithë bashkarisht. Kam zgjedhur të rris fëmijët e mi në të njëjtin territor që dua të përfaqësoj. Për mua politika nuk është privilegj, është shërbim në të mirë të komunitetit që më zgjedh t’i shërbej. E do përpiqem fort që unë të bëj fushatë e veprime konkrete elektorale që ditën kur marr mandatin, duke mos u shkëputur kurrë nga njerëzit që më dhanë besimin për t’u rishfaqur vetëm një muaj para zgjedhjeve.

Besoni në vërtetësinë e këtyre zgjedhjeve dhe nëse shpalleni deputete, përfaqësuesja e kujt do të jeni në parlament?

Besoj në vërtetësinë e zgjedhjeve se,  përndryshe nuk do të kisha garuar. Mekanizmat e numërimit dhe vëzhgimit sot janë më të sigurtë se në të shkuarën. Uroj që forcat politike të mëdha të mos sjellin destabilitet në vend, duke mos pranuar apo duke kontestuar fituesin. Do të jem përfaqësuesja e të gjithë atyre që do të duan dhe do të më votojnë, por edhe e atyre qe nuk do të më votojnë. Pavarësisht orientimit të votës, hallet i kemi të përbashkëta. E ardhmja nuk ndërtohet me hatërmbetje politike.

Opinioni juaj për Shqipërinë e 30 viteve të fundit në aspektin politik, social dhe ekonomik?

Mbaj mend gjithmonë qeveri jo prodhuese dhe opozita shkatërruese. Asnjëherë këta njerëz nuk u bënë bashkë për interesa madhorë të zhvillimit apo integrimit të Shqipërisë dhe janë bërë gjithmonë bashkë për interesat e tyre të ngushtë personal. Na ushqejnë me politikë që nga mëngjesi deri natën vonë, duke na mësuar që, nëse do të punosh apo të ushqesh fëmijët e tu duhet patjetër të jesh militant partiak. Shqipëria ende sot, pas 30 vitesh pseudo pluralizëm nuk ka qenë në gjendje të prodhojë klasën e mesme të shoqërisë. Atë klasë që ushqehet, jeton e punon pavarësisht partisë që është në pushtet.

Si e gjykoni qeverisjen e Ramës gjatë këtyre viteve? Po në raport me qeverisjet e mëparshme të Berishës?

Për mua janë thjeshtë dy anë të një monedhe që mbart të njëjtën vlerë. Në të dy rastet kam menduar qe kryeministrat e Shqipërisë jetojnë në televizor (sot më shumë se dje) dhe janë të shkëputur nga realiteti. Ky vend nuk ka vuajtur vetëm për qeverisje funksionale, por edhe për opozitë funksionale. Sikur dhe pa qeverisje të kishim qenë gjithë këto vite, në rënie të lirë, do i kishim bërë këto “arritje”. 12 vite në pushtet e Majta nuk janë një prespektivë e mirë për shqiptarët. Nga ana tjetër, opozita mbart në pseudo trenin e ri po të njëjtët pasagjerë të vjetër. Është domosdoshmëri që një klasë e re politike të injektohet në sistem nëse duam që të shohim dicka ndryshe nga çfarë kemi parë e jetuar deri më sot.

Politikisht, cilat janë gabimet më të mëdha që këta dy figura politike kanë bërë në qeverisjet e tyre?

Që kanë promovur servilët politikë, duke promovuar mediokritetin dhe duke politizuar sistemin arsimor. Që nuk kanë dënuar konkretisht asnjëherë genocidin dhe krimet e komunizmit. Që nuk kanë lënë të funksionojë sistemi i drejtësisë dhe duke i ngatërruar këmbët të tre sistemeve. Jemi ende pa ujë, pa rrugë dhe pa shëndetësi efikase të shpërndarë në territor. Që ende sot në vitin 2021 nuk jemi ende pjesë e Bashkimit Europian, etj.. Ku ta vësh gishtin më parë.

Ambiciet e së ardhmes së Rigertës?

“Pak e sak”, themi ne nga veriu. Hapa të vegjël, të sigurtë dhe të mirëmenduar duke mos harruar asnjëherë prej nga vij. Sot nis e ardhmja, ajo sidoqoftë u përket të rinjve

SHKARKO APP