Rikthehet në Kuvend projektligji për kartën digjitale të identitetit, parashikohet portofol elektronik për qytetarët

Shqipëria po synon të kalojë drejt një sistemi të ri të identifikimit elektronik, i cili mund të zëvendësojë gradualisht kartat fizike të identitetit me versione digjitale të ruajtura në pajisjet personale të qytetarëve. Kjo nismë është riparaqitur përmes një projektligji të ri për identifikimin elektronik, i cili parashikon krijimin e një portofoli digjital për qytetarët.

Përmes këtij sistemi, qytetarët do të kenë mundësi të identifikohen online dhe të kryejnë një sërë shërbimesh publike dhe private në mënyrë elektronike, përfshirë aplikime, nënshkrime dokumentesh dhe verifikime të ndryshme të të dhënave. Dokumentet digjitale do të kenë të njëjtën vlefshmëri ligjore si ato fizike, duke lehtësuar ndjeshëm procedurat administrative.

Në dokumentin shoqërues të projektligjit theksohet se aktualisht mungon një kuadër i plotë ligjor që rregullon funksionimin e identitetit digjital dhe njohjen e tij në nivel ndërkombëtar. Për këtë arsye, synohet përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që sistemi shqiptar të jetë i ndërveprueshëm edhe jashtë vendit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një nga elementët kryesorë të projektit është krijimi i portofolit të identitetit digjital, i cili do të funksionojë si një hapësirë elektronike e sigurt për ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave personale. Ky sistem pritet të përmirësojë aksesin në shërbime dhe të rrisë efikasitetin e administratës publike.

Swiss Digital Mobile Reklama

Megjithatë, zbatimi i kësaj nisme shoqërohet edhe me kosto të konsiderueshme financiare. Sipas përllogaritjeve, ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemit për një periudhë 10-vjeçare pritet të arrijë rreth 703 milionë lekë me TVSH, ose mesatarisht 70 milionë lekë në vit. Shpenzimet përfshijnë investime në teknologji, siguri dhe certifikime ndërkombëtare.

Në dokument theksohet gjithashtu se një nga sfidat kryesore mbetet mbrojtja e të dhënave personale dhe garantimi i sigurisë së sistemit, duke qenë se bëhet fjalë për një infrastrukturë shumë sensitive. Zbatimi i këtij projekti kërkon kapacitete të larta teknike dhe kujdes të veçantë për privatësinë e qytetarëve

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?