Rikthehet shtetrrethimi, kufizim i lëvizjes nga ora 22:00 deri në 06:00

Shqipëria është rifutur sërish në karantinë për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve për Pandeminë, do të ndalohet lëvizja në të gjithë Shqipërinë nga ora 22:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se masat vijnë për shkak të rritjes së numrit të infektimeve në të gjithë territorin e vendit.

“Kemi analizuar me hollësi dhe në detaje rezultatin e masave të marra deri më tani si dhe eksperiencën e vendeve përreth. Kemi evidentuar se në Shqipëri është vënë re një shtim i transmetueshmërisë së infeksionit. Është rritur edhe incidenca. Në kushtet ku nuk ka ende një kurë, mënyra më e mirë është parandalimi. Duke analizuar shifrat, shkaqet, rekomandimet e organizatës së OBSH-së komiteti propozon të merren disa masa në përputhje me strategjinë tone vjeshtë-dimër. Ne vlerësojmë se duhet ti marrim këto masa dhe i konsiderojmë ato të domosdoshme për pengimin e përhapjes së këtij infeksioni. Masa që ne kemi vendosur është izolimi i vendit nga ora 22:00 deri në ora 06:00. Lokalet dhe restorantet mbyllur, përveç shërbimeve delivery. Hyjnë në fuqi të mërkurën, më datë 11. Masat do të rishikohen çdo javë”,- tha Rakacolli.

Vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve

1.Kufizim i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 06:00, me përjashtim lëvizjet për punë, emergjenca shëndetësore.

2.Aktivitetet e bareve dhe restoranteve do të mbyllen pas 22:00, përveç deliveri.

3.Administrata publike të punojë nga shtëpia.

4. Këto masa do të hyjnë në fuqi ditën e mërkurë, në 11 nëntor dhe do të zgjasin për tre javë. Do të rishikohen çdo javë në varësi të ecurisë së situatës.

VIDEO/KONFERENCA E KOMITETIT TEKNIK TË EKSPERTËVE ANTI-COVID 19

(Lajmi në përditësim)

SHKARKO APP