Rikthimi i studentëve rrit qiratë e apartamenteve në Tiranë
Rikthimi i studentëve në prag të fillimit të vitit të ri akademik në kryeqytet ka shtuar ndjeshëm kërkesën për apartamente me qira dhe si rrjedhojë ka sjellë edhe rritjen e çmimeve. Ekspertët imobiliarë thonë se më e ndjeshme rritja është te hyrjet e vogla për të cilat ka më shumë kërkesë. Ndërkohë më të kërkuarat mbeten apartamentet në periferi të Tiranës për shkak se janë më të lira. Nga ana tjetër rritje kanë pësuar edhe çmimet e apartamenteve të reja.
Çmimet e objekteve me qira në kryeqytet kanë pësuar një rritje me mbi 10% gjatë muajit të fundit.
Eksperti imobiliar, Lefter Sila, deklaron se afrimi i nisjes së universiteteve ka shtuar kërkesat e studentëve për apartamente me qira duke sjellë edhe rritjen e çmimit.
Madje për shkak të ekonomisë së dobët, më të kërkuara mbeten apartamentet e vogla që kushtojnë më pak.
Lefter Sila: Duke pasur një kërkesë të madhe për këto lloj apartamentesh të vogla edhe çmimi i qirasë është në rritje, 10% në krahasim me vitin e kaluar. Ndërsa për apartamentet me sipërfaqe më të mëdha 2+1, 3+1, kërkesa gjithmonë pakësohet.
Astiri dhe Yzberishti mbeten më të kërkuarat, pasi çmimet janë më të lira.
Lefter Sila: Zonat më të kërkuara për apartamentet e vogla janë kryesisht Astiri, Yzberishti sepse është mënyrë komunikuese më e lehtë mes veriut dhe jugut të Shqipërisë.Ndërsa zona e Freskut është më e futur dhe është pak më e kërkuar.
Ndërkohë përsa i përket shitjes së apartamenteve, ekspertët vërejnë se në ndërtimet e reja ka një një rritje të çmimeve me 30-40%.
Lefter Sila: Për shitjen e apartamenteve të reja që sapo kanë filluar, çmimet janë 30-40% më të larta se i njëjti pallat që është afër atij që po ndërtohet i ri.
Ndërtimi i apartamenteve të reja kohët e fundit ka njohur një boom dhe sipas të dhënave të INSTAT gjatë tremujorit të dytë lejet e ndërtimit janë rritur me 14.8%.
/Ora News