Rindërtimi i pallateve të dëmtuar nga tërmeti në Durrës nuk ka përfunduar, banorët: Paratë i ndanë për tjetër punë
Rindërtimi, ka qenë kryefjala e politikës, që pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Edhe pse kanë kaluar 14 muaj që nga ajo ditë ku dhjetëra pallate u shembën, e qindra banorë mbetën pa çati mbi kokë, procesi i rindërtimit ende nuk ka mbaruar.
Durrësi është një nga zonat më të prekura dhe banorët e këtij qyteti shprehin revoltën e tyre për punën e ngadaltë që është bërë në këtë drejtim.
“Pallati jonë është i dërrmuar dhe këta bëjnë sikur gjithçka është në rregul. Pallati po i kap njerëzit brenda,” thotë banori.
“Po rrimë me qira dhe kur t;i teket atyre të na japin bonusin. Nuk është e drejtë kjo, të rrijë ky pallat me 100 persona pa u marrë në konsideratë, kjo është një neglizhencë e bashkisë. Paratë që do hidheshin këtu i ndanë për tjetër punë,” thotë banori.
Por ndryshe mendon kryetarja e Bashkisë së qytetit bregdetar Emirjana Sako, e cila shprehet se rindërtimi po ecën me ritme të shpejta.
“Nëse do flasim me shifra ne kemi dhënë ndihmë për 12 mijë familje, pra 12 mijë familje kanë marrë dëmshpërblimin për dëmet e brendshme që kanë pasur në banesë. Kemi përfunduar rreth 400 objekte, pallate të cilat janë riparuar ambientet e përbashkëta, shkallët,” thotë Sako.
Pakënaqësive të qytetarëve dhe protestat e tyre, Sako i quan normale, ndërsa thotë se të gjitha rastet janë shqyrtuar me përparësi nga bashkia që drejton.
“Protestat kanë qenë normale sepse njerëzit kanë qenë të shqetësuar dhe sigurisht që në mungesë të strehës sfida për të jetuar është shumë e madhe. Ne kemi ndenjur pranë çdo qytetari, kemi trajtuar çdo problem në mënyrë specifike, unike, me dokumentacion, me trajtimin e bonusit e të tjera më radhë,” thotë Sako.
Të gjitha objektet që u dëmtuan nga shkallët DS1 deri në shkallën DS3 me vendim të autoriteteve kanë marrë grante rindërtimi, ndërsa objektet e shkallës DS4 që duhet të shembeshin dhe rindërtoheshin janë menaxhuar nga Bashkitë përkatëse. /Ora News