Rindërtimi i shkollës së gjuhës shqipe në Rozhajë, Meta: Do të japë kontribut në forcimin e identitetit tonë kombëtar
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilëson si një lajm shumë të gëzuar rindërtimin e shkollës së gjuhës shqipe në fshatin Dacaj në Rozhajë të Malit të Zi.
“Së bashku me urimin për një vit të mbarë shkollor, jam i lumtur që më në fund fëmijët me kombësi shqiptare të kësaj treve patriotike do të rikthehen në bankat e shkollës për të mësuar me dashuri gjuhën, kulturën dhe historinë kombëtare”, u shpreh Meta në një reagim në rrjetet sociale.
Ai shprehu një falënderim për Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazović dhe institucionet e Malit të Zi që, u shpreh Meta, “i dhanë sërish jetë kësaj vatre shumë të rëndësishme arsimore për shqiptarët atje dhe e realizuan këtë kërkesë time të hershme”.
“Rihapja e shkollës në gjuhën shqipe në Rozhajë jam i bindur se do të japë kontribut në forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe padyshim më shumë kuptim ëndrrave dhe së ardhmes së fëmijëve shqiptarë të kësaj treve. Ndaj mezi po pres të rikthehem sërish në Dacaj”, nënvizoi Meta.