Rindërtohet qendra e re shëndetësore në Ishëm, Manastirliu: Gati për hapjen e 29 qendrave verore

Ka nisur puna për hapjen e 29 qendrave shëndetësore verore. Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të qendrës së re shëndetësore në Ishëm, e cila u rindërtua pas tërmetit të 26 nëntorit. Ajo tha se qendra shëndetësore në Ishëm i përgjigjet shërbimeve të kujdesit shëndetësor për të gjithë turistët, përveçse banorëve në zonën e Ishmit dhe të Lalzit.

“Por nga ana tjetër në pikat e kujdesit shëndetësor janë 29 pika, të cilat përgjatë sezonit turistik do të vijojmë të kemi shërbime për turistët, në mënyrë që të kemi një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm”, tha Manastirliu.

Ajo tha se në kuadër të programit të rindërtimit, po finalizohet edhe spitali bashkiak i Laçit, për ta vënë sa më shpejt në dispozicion të banorëve të këtij qyteti.

“Nga ana tjetër, vijojmë me fazën tonë të dytë të rehabilitmit të të gjithë qendrave shëndetësore dhe ambulancave që ende nuk janë prekur nga faza e parë e programit të 300 qendrave shëndetësore, për t’i finalizuar brenda këtij mandati”.

E pranishme në inspektim, ishte edhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako e cila tha se po përgatiten për sezonin turistik. “Kjo qendër përveç banorëve të komunitetit, do t’ju shërbejë edhe një numri të turistëve, vizitorëve që vijnë në zonën e Lalzit, por edhe pjesë të tjera të zonës së Ishmit”.

Qendra shëndetësore në Ishëm u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Kjo qendër shëndetësore 24 orëshe ofron shërbim shëndetësor për rreth 8,000 banorë të njësisë administrative Ishëm.

SHKARKO APP