Ringjallja mahnitëse e katedrales “Notre Dame”

E gjithë bota dukej se ishte ndalur dhe mbante frymën atë mbrëmje. Përafërsisht 900 vjet, që nga fillimi i ndërtimit në vitin 1163, katedralja e madhe gotike kishte qenë një qendër e vazhdueshme dhe e rëndësishme për Parisin. Megjithatë, ja ku jemi. “Notre Dame” rihapet për publikun sot (e diel)

Michael Kimmelman

Benoist de Sinety, ish-famullitari i përgjithshëm i Parisit, ishte në skuterin e tij atë mbrëmje prilli të vitit 2019, duke vozitur nëpër urën “Pont Neuf” kur në retrovizor vuri re flakë që dilnin nga strehët e çatisë së “Notre Dame”. Mallkoi me zë, bëri një kthesë dhe nxitoi drejt katedrales.

Mbretëresha e Skocisë, Mary, u martua në “Notre Dame”, Joana e Arcut u bekua aty, ndërsa Napoleoni u kurorëzua. Katedralja ka qenë aq qendrore në Francë saqë pjesa e saj e përparme konsiderohet pika zero, nga e cila maten të gjitha distancat në vend.

Tani kjo ndërtesë historike po digjej.

E gjithë bota dukej se ishte ndalur dhe mbante frymën atë mbrëmje. Përafërsisht 900 vjet, që nga fillimi i ndërtimit në vitin 1163, katedralja e madhe gotike kishte qenë një qendër e vazhdueshme dhe e rëndësishme për Parisin. Para se të përfshihej nga zjarri, ajo tërhiqte rreth 13 milionë turistë nga e gjithë bota çdo vit, më shumë se Kulla Eiffel, Muzeu i Lourvet apo Bazilika e Shën Pjetrit në Romë.

Dhe kur tymi e hiri po fluturonin mbi lumin Sena, shumë parisienë dhe numër i panumërt i udhëtarëve, të cilët kishin ardhur për ta trajtuar ndërtesën si pjesë e orendive qytetare, papritmas kuptuan se sa e rëndësishme ishte “Notre Dame”. Ajo ishte një lidhje e përbashkët jo vetëm me qytetin dhe të kaluarën, por gjithashtu me të bukurën dhe llojin më të mirë të arritjeve njerëzore.

Çfarë thoshte kjo për ne dhe momentin tonë, në harkun e gjatë të historisë, nëse kjo ishte ditë e fundit e ekzistencës së “Notre Dame”?

Dëshmitarë të një mrekullie 

Ndërtesa ende digjej kur presidenti i Francës, Emmanuel Macron, premtoi ta rihapë atë pas pesë vjetësh. Ky afat kohor dukej si shpresë për një mrekulli. Çatia e katedrales, e mbështetur nga dërrasa lisi të kohës mesjetare, tashmë ishte shembur. Maja e saj e shekullit të 19-të u ndez si shkrepëse kundër qiellit të errët.

Restaurimet në këtë shkallë mund të zgjasin me dekada. Vendi tashmë ishte tronditur nga kryengritjet për çmimet e naftës dhe sigurimet e dobëta sociale që, sikur “Notre Dame”, kishin qenë një burim krenarie dhe identiteti kombëtar për shumë kohë. Simbolika e zjarrvënies së katedrales ishte e paqartë. Pastaj erdhi COVIDI.

Megjithatë, ja ku jemi.

“Notre Dame” rihapet për publikun të dielën e 8 dhjetori. Restaurimi do të vazhdojë në disa pjesë të katedrales dhe për disa vjet, por si një vepër e organizimit të nivelit ushtarak, ekspertizës dhe mjeshtërisë, arritja e deritanishme është mahnitëse dhe historike.

Për Macronin dhe këtë komb ende thellësisht të ndarë, rindërtimi i katedrales tani bart një lloj tjetër peshe simbolike. Për botën e gjerë, kjo thekson se katastrofat mund të kapërcehen, se disa gjëra të mira dhe të vërteta mbijetojnë — dhe që njerëzimi ndoshta nuk ka humbur ende lidhjen me anën më të mirë të vetvetes.

Herën e fundit që pata mundësinë të futem brenda katedrales ishte kur ajo ishte në proces restaurimi këtë verë. Pjesa më e madhe ishte ende e mbuluar me qese plastike dhe nga skelat. Por dola nga aty me ndjenjën se isha dëshmitar i një lloji mrekullie.

Arrita deri në çati, ku punëtorët po siguronin majën e rinovuar dhe dërrasat e reja. Jean-Louis Bidet, drejtori teknik i “Ateliers Perrault”, një nga kompanitë franceze përgjegjëse për punëtorët e drurit, më tha se çdo pemë dushku ishte zgjedhur për t’u përshtatur me nivelet e trarëve të lashtë që do të zëvendësoheshin. Druri pastaj ishte skalitur për të përsëritur veçoritë e siluetës së origjinalit të punuar me dorë, madje me shenjën e marangozit mesjetar të vizatuar sërish mbi të.

Publiku nuk do të mund të shohë trarët që tani janë pas arkave të çatisë së restauruar. Fola me punëtorë që vinin dhe largoheshin nga vendpunishtja, e cila ishte bërë selia e restaurimit dhe ku disa nga dy mijë punëtorët, shumica francezë, por disa edhe nga vende të tjera, pushonin nën pemë dhe ushqeheshin gjatë drekës.

Puna në ndërtesën që ka shpirt 

“Çdo ditë na dalin nga 20 vështirësi”, më tha Philippe Jost, i cili drejtonte grupin e restaurimit. “Por është ndryshe kur punon në një ndërtesë që ka shpirt. Bukuria e saj e bën gjithçka më të lehtë”.

Nuk mund të kujtoj të kem vizituar ndonjëherë një vend pune që dukej më i qetë, përkundër presionit për të përfunduar në kohë, ose një që mbante një atmosferë aq të qetë, plot gëzim dhe bindje në misionin e tyre. Kur e pyeta një punëtore rreth asaj se çfarë domethënie kishte kjo punë për të, ajo nuk i gjente dot fjalët për t’u shprehur dhe pastaj nisi të qajë.

“Notre Dame” u rrënua gjithashtu gjatë shekullit të 19-të kur një arkitekt i ri francez me emrin Eugène Emmanuel Viollet-le-Duc, u punësua për ta shpëtuar atë nga shkatërrimi. Gjatë Revolucionit, kryengritësit kishin prerë kokat e statujave të figurave të Dhiatës së Vjetër në fasadë, të cilat i kishin ngatërruar me portretet e mbretërve francezë. Ata i kishin dedikuar katedralen religjionit ateist “Cult of Reason” (Kulti i Arsyes), duke i shkrirë kambanat për t’i shndërruar në monedha dhe topa lufte.

Ai dhe një arkitekt tjetër i ri, Jean-Baptiste Lassus, kishin fituar një garë gjatë viteve 1840, që ishte organizuar si pjesë e një lëvizjeje nacionaliste që po lindte, për të shpëtuar trashëgiminë franceze pas publikimit të romanit të Victor Hugos, “The Hunchback of Notre-Dame”. Romani shkaktoi zemërim publik për gjendjen e degraduar të katedrales.

Hugo shkroi në formë të prozës së ëmbël dhe të drejtë për shkatërrimin e “Notre Dame”. Si kritik i hierarkisë kishtare, ai e lartësoi “Notre Damen” si një pallat të madh të popullit, duke mishëruar të gjitha llojet e ideve të epokës romantike për barazinë, komunitetin dhe historinë.

Kisha e Shën Denisit disa milje më larg, kohët e fundit ishte caktuar për të strehuar varret e mbretërve francezë. Harqet e saj me majë dhe kolonat që shtriheshin si rrjeta merimange, ndihmuan në futjen e epokës gotike. Peshkopi donte të ndihmonte në ndërtimin e një monumenti edhe më të madh gotik.

Dy shekuj për ta përfunduar

“Notre Dame” do të merrte pothuajse 200 vjet për t’u përfunduar. Imagjinoni prerjen e shiritit sot për një ndërtesë, bazamentet e së cilës ishin vendosur para se të zbulohej elektrifikimi. Nga e gjithë Franca, punëtorë xhami, muratorë dhe marangozë, gdhendës që i sheshojnë drunjtë, bashkues që i lidhin trarët, u mblodhët të gjithë në Paris. Ata hartuan planet në dysheme të mbuluara me gëlqere të ngurtësuar, sepse letra ende ishte një produkt i rrallë.

Besoj se janë mbjellë fara të reja aty ku ishin prerë pemët e dushkut për të rindërtuar trarët. Mund t’ju kujtohet një larmi propozimesh të çuditshme, alternativa për rindërtimin, që qarkulluan online pas zjarrit, përfshirë një që propozonte të vendosej një pishinë në çati dhe një tjetër që propozonte zëvendësimin e majës së arkitektit Viollet-le-Duc, me një skulpturë të trashë, të mbështjellë me flori, me fibra karboni në formë të flakës, që dukej pak a shumë si logo e ndonjë restoranti në Kolorado që shërben krahë të pulës. Asnjë nga këto propozime, me sa kujtoj unë, nuk e vlerësonte ndërtesën si një vend të shenjtë fetar.

Ato dolën në pah sepse kryeministri i Francës u nxitua me propozimin e një gare ndërkombëtare për të riimagjinuar pjesën e dëmtuar të katedrales. Kjo u hapi rrugë mediave sociale për çmenduri të parashikueshme. Megjithëse nuk do të ishte hera e parë që Notre Dame pësoi ndryshime të padëshiruara. Katedralja u plaçkit nga hugenotët (protestantët në Francë) dhe u riparua nga Luigji XIV, të cilit stili i saj gotik i dukej i vjetruar.

Ajo lloj arkitekture që vazhdon të ketë vlerë dhe kuptim, është një organizëm i gjallë. Përshtatet me kushte të reja dhe merr identitete të freskëta. Gjatë viteve 1920, katedralja e madhe gotike në Reims u rindërtua me beton dhe çelik, pasi që çatia e saj u dogj gjatë Luftës së Parë Botërore. Britanikët vendosën ta linin katedralen e shekullit të 14-të në Coventry të shkatërruar, pasi forcat ajrore gjermane e bombarduan atë, për t’u përdorur si memorial lufte, me një katedrale të re të ndërtuar për krah.

Rrugë drejt dinjitetit dhe ekselencës

Por “Notre Dame” në vitin 2019 nuk u shkatërrua nga ndonjë ngjarje që mund të ndryshonte botën, e që duhej kujtuar. Zjarri mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik ose një cigare e ndezur.

I nxitur nga mbrojtësit e trashëgimisë dhe arkitektët e lartë francezë si, Jean Nouvel, presidenti Macron vendosi të bëjë gjënë e duhur duke restauruar dhe pastruar brendësinë dhe duke rindërtuar çatinë, e cila përbëhej nga materiale të drurit dhe plumbit. Pavarësisht disa brengave të hershme, duket se deri tani nuk ka efekte të dëmshme shëndetësore që mund të lidhen me pasojat e plumbit të djegur mbi çatinë e “Notre Dame”.

Dhe trarët prej druri, të mbrojtura nga sistemet moderne të shuarjes së zjarrit, mund të rezistojnë pothuajse përgjithmonë. Trarët origjinalë kishin qëndruar për pjesën më të madhe të një mijëvjeçari, përkufizimi i saktë i arkitekturës së qëndrueshme.

Për rindërtimin e çatisë gjithashtu nevojiteshin marangozë të aftë, gurgdhendës dhe artizanë të trajnuar në teknikat e pasura me rrënjë në historinë franceze dhe evropiane. “Notre Dame” mund të ndihmojë në ringjalljen e këtyre zanateve të brishta por të çmuara.

Pas njoftimit të Macronit, një organizatë franceze e artizanëve e quajtur “Compagnons du Devoir”, që daton nga shekulli i 12-të, filloi të pranonte mijëra aplikime.

“Në Francë, ashtu si në Amerikë”, më tha në atë kohë një nga udhëheqësit e saj të mëparshëm, Jean-Claude Bellanger. “Ata që sot futen në zanate, priren të konsiderohen dështues nga shoqëria elitare. ‘Notre Dame’ ua ka kujtuar të gjithëve se kjo lloj pune është rrugë drejt dinjitetit dhe ekselencës”.

Ky është një nga rezultatet më të shpejta dhe më të ngazëllyera të restaurimit. Restauruesve u ka ndihmuar fakti që, Rémi Fromont dhe Cédric Trentesaux, dy arkitektë francezë, kishin marrë matje të sakta të strukturës së çatisë në vitin 2014 dhe që Andrew Tallon, një profesor i lindur në Belgjikë, i cili vdiq në vitin 2018, kishte skanuar në formë digjitale “Notre Damen” para zjarrit, duke vendosur skanerë laseri në dhjetëra lokacione të ndryshme rreth katedrales si dhe duke mbledhur më shumë se një miliard pikë të dhënash.

Kjo përpjekje u dha punëtorëve një hartë të saktë të ndërtesës. Zjarri, me gjithë dëmet që shkaktoi, kishte ndodhur në një kohë mrekullish. Disi, muret e “Notre Dame” nuk u shembën si një shtëpi prej letrash, siç frikësoheshin zjarrfikësit. As skelat metalike, që restauruesit kishin ndërtuar para rënies së zjarrit, nuk u rrëzuan dhe nuk i rrënuan muret.

Dritaret me vitrazh të katedrales mbijetuan gjithashtu, së bashku me organon. Shkatërrimit i shpëtuan edhe statujat prej bakri të apostujve në çati, duke përfshirë atë që është një portret i Viollet-le-Duc, ku shihet me fytyrë të kthyer drejt majës që ai projektoi. Për fat të mirë, ato ishin larguar të gjitha nga konservatorët, vetëm disa ditë para zjarrit.

Ikonë qetësie dhe baraspeshe

E përshkrova historinë e katedrales më parë sepse, “Notre Dame”, që prej shekullit të 12-të ka qenë gjithmonë një ndërmarrje e përbashkët. Restaurimi i saj që arrin shumën prej gati 900 milionë dollarësh, kryesisht i paguar nga donacionet e disa miliarderëve parisienë dhe rreth 340 mijë donatorëve të tjerë, shumica prej tyre amerikanë, është vetëm shembulli më i fundit. Nuk është një shumë parash e padëgjuar sipas standardeve të çmendura amerikane, por kjo kosto ngriti disa pyetje në Francë për burimet e çmuara që po derdhen në një ndërtesë turistike, e që mund të kishte ndihmuar shumë monumente të tjera të panjohura që kanë nevojë për rinovim.

Ministri i Kulturës së fundmi u bë cak i shumë kritikave, sidomos nga udhëheqës të kishave, duke sugjeruar që turistët të paguajnë një taksë hyrjeje në katedrale, që do të përdorej për të riparuar ndërtesa të tjera fetare.

“Notre Dame” mund të duket si dëshmi tjetër që ne jetojmë në një kohë kur të pasurit bëhen edhe më të pasur. Megjithatë, vështirë të të kujtohen shumë ndërtesa të tjera që kanë vazhduar të kenë kaq shumë domethënie, për aq kohë të gjatë dhe për kaq shumë njerëz të ndryshëm, pavarësisht nëse janë të pasur apo të varfër, besimtarë apo jo.

Grafikë e realizuar nga Mika Gröndahl 

Ata artizanë dhe konservatorë që takova, folën në mënyrë aq prekëse për punën e përbashkët për diçka më të madhe dhe më të qëndrueshme se vetvetja. Për miliona njerëz në mbarë botën, “Notre Dame” mbetet selia e Kishës Katolike Romake në Paris, një lokacion për t’u vizituar në listën e tyre të dëshirave, dhe material burimor për një film të Disneyt.

Por sigurisht se është më shumë se këto gjëra. Nëse jo katedralja gotike më e hijshme, ajo është gjithsesi një kullë e lavdishme, fasada e saj një mrekulli qetësie dhe baraspeshe. Ajo ka frymëzuar Proustin dhe Sigmund Freudin, si dhe arkitektin modernist, Le Corbusier, i cili ëndërronte ta shkatërronte Parisin qendror dhe ta zëvendësonte atë me rrokaqiejt prej betoni, por donin ta ruanin “Notre Dame”.

Ndjesia e parë brenda katedrales

Pse e gjithë bota ndaloi atë natë prilli? Ndjesia e parë kur hyn në katedrale mund të jetë dërrmuese, pasi turmat janë kaq të mëdha dhe arkitektura duket kaq shpellore dhe komplekse. Por shpesh të pushton një ndjenjë tjetër.

Pjesërisht vjen si reagim ndaj cilësisë së zërit, ndryshimit të dëgjimit kur nga jashtë futesh brenda dhe mënyrës se si katedralja ka rezonancën e vet. Një nga organistët e “Notre Dame”, Olivier Latry e krahason atë me një tub organoje. “Ndërtesa është një vëllim me disa veçori. D-dur tingëllon mrekullueshëm në ‘Notre Dame’”, më tha ai.

Shkrimtari bestseller, Ken Follett, i cili shkroi një libër të vogël për “Notre Dame” pas zjarrit, e identifikon këtë ndjenjë të dytë si qetësi, të cilën do të shtoja se është një formë ngushëllimi. Kjo është ajo që restaurimi ofron përfundimisht. Forcon lidhjen tonë me të kaluarën. Dhe na siguron që mund ta gjejmë ende njëri-tjetrin, ashtu siç kanë bërë miliona njerëz gjatë kaq shumë viteve, nën trarët e dushkut, mes gurëve të vjetër.

Autori është kritik i arkitekturës për “The New York Times”. Raportoi për katedralen “Notre Dame” pas zjarrit si dhe e vizitoi atë gjatë kësaj vere. Marrë nga “The New York Times”. Mestitujt janë të Redaksisë. 

koha.net / Përktheu: Edona Binaku

SHKARKO APP