Rinis trafiku me avionë i drogës

Fshatrat e thellë të Vlorës mbeten sërish një bazë për ngritjen e avionëve sportivë për trafikun e lëndëve narkotike.

Një tjetër avion u ngrit mëngjesin e së dielës, i cili edhe pas ndjekjes jo vetëm nga policia shqiptare, por edhe ajo italiane, nuk u arrit të kapet.

Në një njoftim zyrtar 36 orë pas operacionit, Policia shqiptare sqaroi se, në orët e para të mëngjesit të datës 20 mars, u dha informacion se në fshatin Akërni, lëvizte në hapësirën ajrore  një avion i vogël.

Pas dhënies së sinjalit jo vetëm policia shqiptare u vu në lëvizje, por edhe ajo italiane. Kur avioni po i drejtohej hapësirës italiane, u ngritën në ajër skuadriljet “Eurofighter” nga një bazë e Barit.

Pas ndjekjes së tyre, avioni është zhdukur. Policia shqiptare kreu veprimet e saj dhe doli në përfundimin se avioni ishte pjesë e një rrjeti trafikantësh të lëndëve narkotike.

Tre persona u arrestuan në Vlorë. U bllokua një fugon dhe një automjetet fuoristradë, me të cilën udhëtonin tre personat e dyshuar në trafik. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë bëri regjistrimin e procedimit penal. TCH

SHKARKO APP